Real Madrid nuk zhgënjeu në ndeshjen e javës së dytë në La Liga, teksa mposhti me rezultatin e pastër Valladolid, në “Santiago Bernabeu”.
Ndeshja pa shumë histori, e dominuar totalisht nga skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën u shënuan tre gola.
Valverde zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të, duke shënuar pas një asisti të marrë nga Rodrygo. Në minutën e 88-të, Brahim Diaz, i ardhur nga stoli, dyfishoi shifrat.
Në fund kishte vend edhe për një gol të Endrick, që vulosi takimin në 3-0. Për brazilianin e afruar në merkaton e verës, ky është goli i parë me fanellën madrilene.
Pas dy javëve të para, Real Madrid ka grumbulluar katër pikë, pasi në ndeshjen e parë u ndal në barazim nga Mallorca.