Sport Reali fiton Superkupën e Europës, Mbappe shënon në debutim

Reali fiton Superkupën e Europës, Mbappe shënon në debutim

I mbushur me yje, Reali i Madridit, i ka shtuar një tjetër trofe arkivës së klubit dhe këtë herë atë të Superkupës së Europës.

Madrilenët arritën të fitonin me rezultatin 2-0 përballë Atalantës në një stadium të mbushur plot e përplot në kryeqytetin polak.

Me një sulm të frikshëm, Reali zgjodhi të studiojë në 45 minutat e para, ku tregoi shkëndija të pakta, teksa dhe italianët e Gasperinit patën momentet e tyre ku duhet të bënin më shumë.

Në pjesën e dytë, Vinicius, Bellingham dhe Mbappe i treguan Europës dhe Spanjës se ekipi për t’u mundur këtë vit është sërish Reali.

Në minutën e 60, Vinicius përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes së Atalantës dhe me një pasim të shkurtër e nxjerr Valverde përballë portës, i cili nuk mund të gabojë.

8 minuta më vonë, në një kundërsulm të shpejtë Bellingham, kthen një pasim brenda zonës dhe Mbappe e dërgon topin në rrjetë. Francezi nis kështu me gol aventurën e tij te Reali i Madridit, duke premtuar në këtë mënyrë se sezonin i ri do të jetë shumë i bukur.

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti e nisi që nga fillimi këtë takim dhe zhvilloi dhe një ndeshje mjaft të mirë, por uria e spanjollëve duket se nuk ka përfunduar dhe egoja për trofe vijon të jetë e madhe.