Sport Reali Madridi humb legjendën Gento, i vetmi që kishte fituar 6 Kupa...

Reali Madridi humb legjendën Gento, i vetmi që kishte fituar 6 Kupa të Kampionëve

Real Madridi, Spanja dhe futbolli botëror mbajnë zi për Francisco “Paco” Genton. Ish-ylli i klubit madrilen në vitet ‘50-‘60 është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.

“Klubi i Realit, presidenti dhe Bordi i Drejtorëve shpreh keqardhje të thellë për vdekjen e Francisco Gentos, president nderi i Realit dhe një nga legjendat më të mëdha të klubit tonë dhe të futbollit botëror”, thuhet në një deklaratë të Realit.

I lindur në vitin 1933, Gento ishte një nga futbollistët më të mëdhenj të futbollit spanjoll dhe më gjerë. Ai është i vetmi lojtar që ka fituar Ligën e Kampionëve gjashtë herë në karrierën e tij, pesë prej të cilave, radhazi.

Së bashku me Paolo Maldinin ai ka luajtur 8 finale të kompeticionit më të lartë evropian. Gento luajti me fanellën e Realit të Madridit midis viteve 1953 dhe 1971 në rolin e anësorit.

Në 18 sezone fitoi 24 tituj dhe shënoi 182 gola. Ai ka veshur fanellën e kombëtares spanjolle në 43 raste, duke shënuar pesë gola.

Në dhjetor 2015 ai u bë President Nderi i Real Madridit, një post që e mbajti deri në vdekjen e tij.