Ndeshje kampionësh, të paktën nga Real Madrid që tregoi shpirtin e skuadrës që vitet e fundit ka dominuar me prepotencë në fushatat europiane.
Skuadra e Carlo Ancelottit dha në Liverpool një shembull se sa e thjeshtë, por njëkohësisht moderne dhe e suksesshme mund të jetë një skuadër e këtij formati.
Pësoi dy gola të shpejtë, njëri madje si pasojë e gabimit të të pagabueshmit Courtouis, por armët për të bërë keq i ka sepse Vinicius barazoi me golin e dytë që ia fali Alisson, ndërsa Militao dhe Benzema dy herë shkatërruan Jurgen Klopp dhe mbyllën ndoshta në mënyrë më të keqe një sezon të dështuar për Liverpool-in që në muajin shkurt.
Ndwrsa Napoli është skuadra që Italia nuk e ka parë prej vitesh. Sikur të mos mjaftonte dominimi në Serie A, kampionat që tashmë e ka hipotekuar, skuadra e Luciano Spalletit jep leksione edhe jashtë Italisë.
E bën një gjë të tillë në Frankfurt ndaj Eintracht duke fituar me një lehtësi të frikshme në një ndeshje të dominuar që vendasit e mbyllën me 10 lojtarë dhe për më tepër nuk do të kenë shërbimet e Kolo Muani në ndeshjen e radhës.
Fitorja e katërt radhazi pa pësuar gol dhe suksesi i 6 radhazi në të gjitha kompeticionet erdhi me golat e Osimhen pasi Kvaratschkelia kishte gabuar një 11-metërsh, ndërsa Di Lorenzo vendosi firmën e tij në këtë ndeshje ku Napoli dominoi nga fillimi deri në fund.
Eintrachht del me “kocka të thyera” dhe me pak shpresa për një biletë historike në çerekfinale ku Napoli ka hedhur njërën këmbë. Ndeshja e kthimit do të luhet në 15 mars në “Maradona”.