Sport Reali si në kohët e arta: Haaland e ka ëndërr fëmijërie të...

Reali si në kohët e arta: Haaland e ka ëndërr fëmijërie të luajë në Madrid

“Real Madrid? Askush nuk e di se çfarë mund t’i rezervojë e ardhmja”, – ka thënë së fundi Erling Haaland. Pak ditë më pas e përditshmja spanjolle ‘As’ zbulon se çfarë fshihet pas këtij qëndrimi të sulmuesit norvegjez.

Para së gjithash, nuk është e vërtetë që kalimi i Mbape në Madrid e ka mbyllur merkaton e sulmuesve për Realin. Fakt është se Haaland, edhe pse është shumë mirë te Mançester Siti, gjithmonë e ka ëndërruar fanellën e bardhë të Realit.

Përfaqësuesja e lojtarit, Rafaela Pimenta, ka arritur të firmosë me Sitin një kontratë shumë të favorshme për klientin e saj. Ka një klauzolë, që e lejon Haland të largohet që prej verës 2024 në çdo klub që nuk është në Premier ligë. Shifra zvogëlohet vit pas viti.

Nëse sulmuesi rinovon kontratën që skadon në 2027-ës, me siguri Pimenta do të lërë sërish një derë të hapur që i mundëson lojtarit ndërrimin e fanellës. Dhe e vetmja fanellë, për të cilën është vërtet i interesuar norvegjezi, është ajo e Real Madrid.

Për Florentino Perez mbetet problemi se duhet të derdhë një shumë të mirë eurosh. Por jo dhe aq problem për një klub me të ardhura të pambarimta si Reali. ‘Bernabeu’ i ri do të jetë një burim për rritjen e të ardhurave, ndërkohë që totali i pagave të lojtarëve do të shtohej shumë me ardhjen e Mbappe dhe Haaland.

Për norvegjezin do të ishte në këtë rast problemi i të drejtave të imazhit. Te Mançester Siti ai i administron vetë, kurse te Real Madrid ka një tendencë për një ndarje 50 me 50. Një situatë e tillë është diskutuar edhe me Mbappe. Të gjitha këto çështje mund të kalohen nga fakti se Haaland ka vullnetin të realizojë një ëndërr fëmijërie, të luajë për Real Madrid.