Mendoj ndryshe?!
Më vjen përballë një realitet i çalë për një ditë që më shumë se të bukur, e shpreson të qetë .
-Ec, – më dha shenjë një… që nuk e di se çfarë ishte,… me kokore -, i cili më ndaloi te këmbët, duke m’i ngulur sytë në fytyrën time, dhe duke mbartur me vete dhe nxitimin se duhej të shkonte diku.
Pak çaste më parë, ky, i tëri, me një shpejtësi ulëritëse, nxitonte që nga kthesa nga ku ta shihte syri e ishte gati të merrte përpara çdokënd… Rruga e tij u shoqërua me sharje e fjalë të ashpra gjatë për disa çaste, aq sa nga pesha të dukeshin të gjata pa fund. Prej tij zbrazeshin fjalë që pasonin njëra – tjetrën, që nuk kishin kohë të ndalonin, fjalë që të bënin të ndiheshe në faj vetëm pse ishe pikërisht aty në atë çast, e që rëndonin më shumë për peshën që mbanin mbi vete.
Ndodh që në hapin tënd të përplaset fort personaliteti i shtirur, të vjen fytyrës ai që ti e ndesh në rrugë, në market, në punë, në pallat e kudo, madje edhe ne rrjetet sociale,… në të gjithë përditshmërinë tënde.
Ndodh që dita jote të kthehet mbrapsht nëse ti nuk je e zonja ta mbash fort në dorën tënde e t’i japësh kurajo për të të dhënë më të mirën për ty, sidomos kur ti kupton që ai ose ajo që vjen te Ty, do të të diktojë veten e tij në të gjithë personalitetin tënd, dinjitetin tënd, duke ushtruar dhe dhunë mbi ty dhe duke harruar se kjo dhunë mund t’i kthehet po atij në atë qe ai e do më shumë dhe e mbron më fort – familjarëve te tij.
Shoqëria shqiptare harron se dhuna mbi femrën është dhuna mbi kyçin e jetës dhe të ardhmen e saj, dhuna mbi dëshirën për jetën, për vazhdimësinë e saj…
Dhe unë eci…
Bashkë me rrugën, kapërceva dhe mosbindjen që unë të mos jem ai, të shoh përpara ndryshe, më bukur. Bashkë me rrugën kapërceva dhe dëshirën që jeta të mos më servirë në ditën time Atë, njeriun arrogant e të pështirë, që më shume se respektin që më duhej, të më kursente çastin e çalë të gjendjes time dhe të atij që me “forcën e marrë” desh i mori edhe jetën dikujt, të më kursente mendimin për njerëzit që më rrethojnë çdo ditë të jetës time jashtë pragut të shtëpisë, t’i kursente shoqërisë ku jetojmë një dhimbje më shumë, një trishtim që të lë pa fjalë.
Sa e trishtë e gjitha – vuajtje kjo shoqëria jonë, vuajtje që nuk mbaron!…
Po ecja e përqafuar nga mendimet e mia, kur përpara këmbëve të mia ndaloi një makinë e lartë dhe dikush me një lëvizje elegante të dorës, më foli bukur:
-Rruga është për ju!
Heshta. Heshta në mendime e në logjike dhe kapërceva rrugën pranë shtëpisë time, duke dyshuar se e tërë ajo mori mendimesh ishte realitet apo thjesht një ëndërr që doja ta lija pas…
Duke përshëndetur vajzën që më la hapësirë të ndihesha ashtu siç̧ duhej, eca në rrugën time, duke rendur pas asaj që fort doja të behej realiteti im – një karakter i plotë që buron ujë të pastër…
Dhe unë do e luftoj këtë realitet, realitetin e ditës time, tëndin, realitetin e të gjithëve.
EDMIRA XHAFERI