Armando Sadiku në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Zvicrës, edhe pse skuadra e shqiptarit, Lugano, nuk arriti të fitonte. Sulmuesi shqiptar realizoi një nga golat më të bukur në karrierë në ndeshjen e transfertës me Baselin e Taulant Xhakës, që u mbyll në barazim 1-1.
27-vjeçari goditi saktë nga një distancë afër 30 metra, duke befasuar portierin vendës. Për Sadikun ky ishte goli i dytë me Luganon, që pas transferimit në janar nga Levante.
Mungonte në këtë formacion, Ermir Lenjani, që vazhdon të tregojë formë të jashtëzakonshmet. Vetëm një javë më parë, falë dygolëshit në fitoren 1-2 në transfertë me Thunin, ishte përfshirë në formacionin e javës. Të dielën i mjaftuan vetëm 11 sekonda për të shënuar në takimin me Lezernën që përfundoi 2-2.
Golat e Lenjanit vijnë si “shuplakë” për ish-trajnerin e Shqipërisë, Christian Panucci, që nuk e grumbulloi në ndeshjet e fundit të Kombëtares me argumentin që ka luajtur pak.