Sport Rebiç sërish vendimtar, Milani merr fitoren e tretë radhazi

Rebiç sërish vendimtar, Milani merr fitoren e tretë radhazi

Milani konfirmon momentin e mirë që po kalon, teksa mbrëmjen e sotme triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në “Rigamonti”, duke çuar në 3 numrin e fitoreve radhazi.

Ashtu si të dielën ndaj Udineses, edhe mbrëmjen e sotme hero i kuqezinjve ishte sulmuesi kroat Ante Rebiç, që erdhi nga stoli dhe arriti të shënojë golin me vlerë 3-pikëshe për kuqezinjtë.

Ishte një top i gjatë në thellësi për Ibrahimoviç, që ktheu pasimin në qendër dhe aty pas një rrëmujë sfera shkoi te Rebiç, që gjuajti saktë dhe e dërgoi në rrjetë.

Kjo fitore i ngjit kuqezinjtë në vendin e 6 me 31 pikë, ndërsa fiton terren edhe Rebiç, i cili pak ditë më parë bëri valixhet gati për t’u larguar, por në 5 ditë ka shënuar 3 gola dhe i ka dhënë 6 pikë skuadrës së Piolit.

Afrimi i suedezit Ibrahimoviç ka sjellë një frymë të re te milanistët, të cilët duken ndeshje pas ndeshje të etur për fitore.