Nga Serena Trivelloni *
Filmi i ri italian i regjisorit Stefano Sollima “Ngadalë” paraqitet si dëshmi kinematografike e një Rome të humbur, të djegur e indiferente. Në këtë qytet të rrethuar nga zjarret e ku veprimet kryhen të zhytyra në terr material e metaforik, djaloshi Manuel (interpretuar nga Gianmarco Franchini) përgatitet të jetojë një ditë vendimtare përcaktuar nga një shantazh që po pëson e prej të cilit s’gjen lehtë rrugëdalje. Ndjesia që shoqëron fillimin është ajo që shtyn të presim një film të zakonshmë të Sollima-s, plot me ngjarje përshkallëzuese e rrëmbyese. Regjisori veçse – teknikisht tejet i rafinuar – shoqëron shikuesit në një rrëfim “të ngadaltë” që heq frymën po aq avash dhe me këtë ritëm prej ecjeje të matur nxjerr në pah të vërtetat e realitetin e personazheve kryesore.
Një trupë aktorësh VIP – Aktorët protagonistë janë të gjithë pjesë e elitës kinematografike italiane dhe shfaqin interpretime në lartësinë e emrit të tyre: Toni Servillo në rolin e personazhit kriminal Daytona, Pierfrancesco Favino si “Deveja”, Valerio Mastandrea si “Polniuman”, Adriano Gianninin e Francesco Di Leva si policët e korruptuar Vasco e Bruno. “Roma ka ndryshuar e unë gjithashtu. E kam vëzhguar me sy të ndryshëm duke përshkuar rrugët e saj me një tjetër hap, të ngadaltë” deklaroi Sollima në konferencën për shtyp ku u paraqit Festivali i 80-të i Venecias. Mbase kontakti me skenaristin Taylor Sheridan (lidhje e cila ishte lejtmotivi i “Soldado” e “Pa brerje ndërgjegjeje”, filma me ambientim amerikan të Sollima-s) e ka ndikuar aq shumë sa ta shtyjë të na paraqesë me “Ngadalë” një vepër ku sundojnë trajtat e stilit noir dhe koha lëviz si lavjerrës para e pas.
Sollima dje e sot – Në të shkuarën e tij të afërt kinematografike kishim serinë TV “Roman kriminal”, në të cilën nën melodinë e këngës “Gjithçka tjetër është mërzi” (kolonë zanore e “Ngadalë”) rivali kryesor i bandës protagoniste të skriptit goditej me thikë në zemër; në të sotmen e thatë na duket sikur nga banda e Magliana-s e mbase nga Roma vetë s’ka mbetur asgjë. Tek “Ngadalë” s’ka realitet të zbukuruar, as empati e as dhembshuri: zjarri që rrethon Romën bën kontrast me shiun e pambarimtë të filmit “Suburra” dhe përbën metaforën e kërcënimit pa afat dhe të fundit në horizont për një qytet që nuk dashuron më veten.
“Ngadalë” si pasqyrë e shoqërisë aktuale – Në lëvizje mes hijeve të papastra të së shkuarës e trupash në shpërbërje, protagonistët e filmit përbëjnë stadin fundor të shoqërisë së humbur pa identitet. Njëri prej tyre vuan nga një sëmundje e pashërueshme në fazë terminale, tjetri ka humbur shikimin, një i tretë vuan nga çrregullime në tru e duket sikur ka humbur kontaktin me realitetin: a ekziston fotografi më realiste për një shoqëri që rrezikon përhumbjen në egoizëm e individualizëm?
Tregimi i Sollima-s mban distancë dhe kërkon t’i japë shikuesit një mesazh të qartë: nuk ekziston ripërtëritje për ata që nuk arrijnë të çlirohen prej posesivitetit, kodeve të vjetra të nderit dhe gjuhës e simbolikave të botës kriminale. Në film paraqitet ndërthurja e përleshjes mes një të vjetre e një të reje në metoda, përmes një realiteti ku “gjithçka kthehet pas” prej së shkuarës – sipas fjalëve në film të bashkëshortes së “Devesë” (e cila interpretohet nga Silvia Salvatori).
Morfina që injekton në trup Favino përbën metaforën e një anestetizanti që i lejon njeriut të ulë ndjenjën e dhimbjes ndaj një shoqërie në kolaps, një realiteti që kthen përmbys skemat e ku korrupsioni i njerëzve të shtetit shfaqet më kafshëror e i egër sesa ai i kriminelëve. Paradoksalisht, në këtë rrëfim janë ish-pjesëtarët e bandës së Magliana-s ata që shfaqen besnikë të vetvetes; koha i ka ndryshuar vetëm në pamje. Kthjelltësia kriminale ngjan sikur i përket në masa të njëjta “të mirëve” fiktivë e personazheve negative, fantazma të gjalla të një epoke të shkuar.
Personazhe që tejkalojnë kufij – Ndryshe nga shfaqjet e “Roman kriminal” e “Suburra”, në “Ngadalë” shikuesi s’ka më përballë personazhe dinamikë e me lëkundje shpirtërore aspiratash; këtu shpirtrat e protagonistëve janë të shkatërruara dhe pa ambicje. S’duan të rimarrin më gjithçka që u “përkiste”, të sundojnë mbi Romën, të gjejnë respekt e shpagim në jetë; u ka mbetur vetëm arma e shantazhit të dikujt që thjesht mbijeton (pa jetuar) pa skrupuj e vetëm kështu kalon kufij të jetës.
Shkelur prej këtyre personazheve, Roma është e dyzuar si ata. Këta personazhe përshkohen nga djaj të shkuar e paraliza të së tashmes, drita e ditës dhe terri i natës, gjaku i dënimeve dhe premtimi i shpagimit; mbi ta vepron një fuqi shpërbërëse e vdekjeprurëse që mban larg gjithçka të gjallë, të mundur e të paprekur. Përsëri ndryshe nga filmat e cituar paraardhës me lajtmotiv botën kriminale romane (“Roman kriminal” e “Suburra”) karakterizimi i fortë i personazheve mbetet në sipërfaqe dhe nuk lejon forma empatie me ta. Zhvillimi i ngjarjeve të lë të kuptosh se vullneti i regjisorit Sollima mund të jetë ky skenar sipërfaqësie ku, nën qiellin plot hi material të një qyteti në djegie e gjakut të derdhur në tokë nga ndërveprimet mes personazheve, i vetmi spiral drite në fund të tunelit shfaqet aspirata e djaloshit Manuel: besimi tek drejtësia.
*Autorja Serena Trivelloni ka botuar artikullin origjinal italisht në 29 dhjetor në uebsajtin artistik italian LaScimmiaPensa.com.
Ky artikull është përkthyer prej gazetarit Gjergji Kajana.
Filmi “Ngadalë” hyn në një trilogji kriminale filmash e serish TV të regjisorit italian Stefano Sollima dhe po shfaqet prej disa javësh në kinematë e Italisë.
Banda e Magliana-s përbënte një organizatë të fuqishme kriminale që vepronte në Romë në vitet ’70 e ’80 të shekullit të shkuar dhe është sjellë në ekran nga seria TV “Roman kriminal” me regjisor Sollima-n.