Kryeministri Edi Rama tha se do të votonte “pro” në një referendum hipotetik për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kjo është pyetje apo provokacja? Se nuk po e kuptoj”, tha Rama. “Nëse më pyesni për hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, do të votoja hapur pro, që të jemi të qartë. Nëse më pyesni a do të ndodhë apo jo, unë them që kjo do të ndodhë, nuk e di kur do të ndodhë, si do të ndodhë, por që kjo do të ndodhë një ditë, them që po”.
Rama sqaroi që ky ishte një “fall” dhe kërkoi që të mos gjykohet për këtë. “Atyre që mund ta marrin dhe të dalin të bërtasin “Shqipëria e madhe” u them që fallxhorët nuk gjykohen. Se është një fall, dhe nëse do të hidhja fall them që do të ndodhë. Se si apo kur, nuk e di. Fallin e kisha për këta që do të shkruajnë “u mblodhën në Elbasan, do digjet Ballkani”.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti u shpreh: “Te çështja e bashkimit të shqiptarëve nuk e zgjedhim ne, por na zgjedh ai ne. Nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”.
Deklaratat e dy kryeministrave u bënë gjatë konferencës së përbashkët mes dy qeverive, e shtata në total, e zhvilluar këtë herë në Elbasan. Në këtë mbledhje u nënshkruan 15 marrëveshje, mes tyre ajo për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dyja vendeve, njohja e sigurimeve shoqërore dhe për lehtësira të ndërsjella në procedurat doganore të hyrje-daljes së mallrave.