Rudina Hajdari foli sërish për çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik.
Ajo deklaroi se prezantoi një formulë për ndryshimin e sistemit e cila hap listën e kandidatëve pjesërisht, gjë e cila iu hodh poshtë nga pjesa tjetër e tryezës.
Hajdari u shpreh se ende nuk e kupton se përse Lulzim Basha mbështet një sistem që i ka dhënë kryeministrit Rama sipas saj të gjithë pushtetin.
“Iu propozova anëtarëve të Këshillit Politik që t’i përmbushnim sot të gjitha çështjet. Nuk pranuan dhe u çuan sepse nuk morën përgjigjet që donin. Unë erdha në këtë tryezë me synimin që të ndryshoj sistemin zgjedhor. E di shumë mirë që shqiptarët e duan ndryshimin zgjedhor. Nuk e kuptoj përse Partia Demokratike nuk e përqafon këtë ide. Erdha për të gjetur dhe një formulë kompromisi që ta pranojnë të gjitha palët. Sot propozova një formulë që është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët edhe nga ambasada amerikane dhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë civile, e cila e hap listën pjesërisht. Edhe këtë ma hodhën poshtë. Përse këta njerëz kanë kaq frikë për të ndryshuar sistemin zgjedhor? E kuptoj Ramën që e do këtë sistem sepse ka 74 mandate dhe me këtë pushtet është bërë autoritar dhe i pasur. Por nuk e kuptoj dot Bashën që e do këtë sistem që e ka bërë Ramën perandor”, deklaroi Hajdari.
Gjiknuri: Ndryshimi i sistemit do të diskutohet në fazën e dytë
Anëtari i mazhorancës në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri pranoi se ende nuk ka një dakordësi me opozitën për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje dhe reformimin e administratës zgjedhore.
Damian Gjiknuri tregoi se në mbledhjen e së shtunës u bisedua dhe për çështjen e sistemit zgjedhor, i cili sipas tij do të diskutohet me prioritet në fazën e dytë të reformës zgjedhore.
Sipas përfaqësuesit të mazhorancës në këtë tryezë, pjesa më e madhe e partive nuk kanë dëshirë për ndryshimin e sistemit.
“Sot trajtuam dhe çështje të tjera siç ishte prezantimi i aplikimit të sistemit të mundshëm danez, propozuar nga zonja Hajdari. Dhe nga diskutimet që u bënë atje u ra dakord që çështja e sistemit të trajtohet në fazën e dytë të reformës zgjedhore. Sepse ky Këshill Politik ka rënë dakord dhe me shkrim që kjo çështje të trajtohet e para në fazën e dytë ku të gjitha palët duhet të shprehen sepse akoma një pjesë e mirë e politikës nuk ka shprehur dëshirën e mirë për ndryshimin e sistemit. Faza e dytë do të ketë reformimin e ligjit për financimin e partive dhe atë të referendumit. Pika më e madhe që na ndan është përfshirja e teknologjisë 100% në zgjedhje dhe reformimi i administratës zgjedhore”, tha Gjiknuri.