Mazhoranca i është përgjigjur pozitivisht letrës së përfaqësuesve të PD dhe të LSI-së për të zhvilluar pa humbur kohë takimin e radhës për reformën zgjedhore.
Opozita jashtëparlamentare kishte propozuar në letrën e saj që takimi të mbahet të hënën, por për shkak se kjo ditë është pushim zyrtar për festën e Fitër Bajramit, mazhoranca shprehet e gatshme që takimi të mbahet të martën.
Pavarësisht se e hëna është ditë pushimi, OSBE në Tiranë është angazhuar maksimalisht që të përfitojë nga vullneti i palëve për t’u ulur në tryezën e reformës zgjedhore.
Me një njoftim të shpërndarë për mediat, OSBE bën me dije se, ka rezervuar sallën ku do mbahet takimi tek “Pallati i Kongreseve” të martën e 26 majit, në orën 11:00.
“Duke qenë se dita e hënë i bie festë Bajrami e për rrjedhojë ditë pushimi, OSBE ka mundësuar rezervimin e sallës për takimin e grupit të punës për reformën zgjedhore, në datë 26 Maj 2020, ora 11:00 tek Pallati Kongreseve”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht vullnetit për t’u ulur në tryezë, duket se gjuha e kompromisit mes palëve politike mbetet sërish larg. Në letrën drejtuar të premten Gjiknurit dhe Hajdarit, opozita jashtëparlamentare thekson se, deklaratat e mazhorancës se është gjetur gjuha e kompromisit për një sërë çështjesh, janë thjesht të pavërteta.
“Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete”, thuhej në letër.