Pas deklaratës së ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim se, partitë politike duhet t’u japin fund lojërave dhe të çojnë përpara reformën zgjedhore, kreu i mazhorancës dhe opozitës duke se kanë gjetur “konsensusin” për vijimin e tryezës së Këshillit Politik, pavarësisht ‘krizës’ që shkaktoi shembja e godinës së Teatrit Kombëtar.
Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi këtë të premte para gazetarëve se opozita ka vendosur që të çojë deri në fund procesin e Reformës Zgjedhore, duke thënë se kjo është e vetmja mundësi që shqiptarëve t’u jepet e drejta për zgjedhje të lira dhe për të larguar Edi Ramën nga qeveria.
Ai u shpreh se PD nuk e ka braktisur tryezën e “Zgjedhores”, por mbledhja e 18 Majit erdhi një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, kur po rriheshin njerëzit në rrugë.
“Edi Rama ka 15 detyra për të kryer, opozita ka 1 detyrë. Ne do të vazhdojmë deri në fund për të treguar vullnet politik për ta realizuar, 14 detyrat e tjera kanë të bëjnë më vënien e drejtësisë për zgjedhjet e vjedhura. Në tryezën e reformës zgjedhore jemi për një arsye, për të larguar Edi Ramën. Siç treguan ngjarjen e dy javëve të fundit, Edi Rama është përpjekur me çdo mënyrë për të penguar procesin e reformës zgjedhore”, deklaroi Basha.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim vlerësoi deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për përkushtimin ndaj tryezës së reformës zgjedhore, të ndërprerë pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar të dielën.
“Ne mirëpresim vendimin e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore. Ne presim të shohim edhe liderët e tjerë të shfaqin udhëheqësi të ngjashme”, shkroi ambasadorja Yuri Kim në Tëitter.
Vendimi u përshëndet edhe nga kryeministri Rama. “Kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore një kthesë për t’u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”, shkroi ai në Tëitter.
Për ambasadorin e BE-së, Soreca, “vendimi i shërben interesit të Shqipërisë dhe kontribuon për të përmbyllur këtë reformë të rëndësishme pa shtyrje të mëtejshme, që do të përmbushte kushtet e vendosura marsin e kaluar nga Këshilli Europian”.