Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Sali Berisha ka përsëritur qëndrimin e tij, se “beteja e nisur nga opozita” është pa kthim.
Duke komentuar pengimin e jetës parlamentare, kreu i grupit të Rithemelimit theksoi se çdo qytetar duhet ta ketë të qartë që po bëhet gjithçka për ta.
“Kanë një muaj që protestojnë për qytetarët. Poshtërim për çdo qytetar, që i mohon të drejtat bazë të Kushtetutës. Prapa atij grumbulli të karrigeve duhet të shohin feniksin që po ngrihet nga hiri për të mbrojtur të drejtat e tyre”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kreu i qeverisë Rama nuk e lejon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare që kërkon opozita pasi “druhet se mund të dalë i zbuluar”.
Ndërsa, duke u ndalur te marrëveshja me Italinë, Berisha deklaroi se ai nuk është për protesta, pasi kontributi i Italisë ndaj shqiptarëve është i madh. Por, ai shtoi se marrëveshja nuk vlen.
Ish-kryeministri tregoi edhe se diçka e ngjashme i është kërkuar nga SHBA-ja gjatë kohës së luftës në Irak, kërkesë që ai thotë se e ka refuzuar.
“Kur më është kërkuar një facilitet i tillë nga aleati kryesor strategjik gjatë kohës në Irak, unë me gjithë mirënjohjen, nuk e kam pranuar. Janë kryer operacione të tjera nga më sensitive, por këtë nuk e kam lejuar”.