Shtetasit italian, pronarit të fasonerisë që iu vu tritol më 25 maj, i ishte vendosur një gjobë prej 100 mijë eurosh nga Edmond Arapi, i akuzuar më parë për plagosje.
Pasi italiani nuk ka pranuar të paguajë gjobën e vendosur nga 46-vjeçari, ky i fundit e ka kërcënuar disa herë duke i thënë se nuk do t’i jepte paratë do ta pësonte keq.
Siç dhe tashmë dihet, pronari i fasonerisë nuk pranoi, ndërsa Arapi nga Himara organizoi vendosjen e tritolit.
Ai ka kontaktuar 16-vjeçarin dhe e ka porositur të vjedhë një biçikletë. Më pas i ka siguruar edhe sasinë e tritolit duke i premtuar 1 milion lekë të vjetra për ta vendosur në ambientet e fasonerisë.
I mituri fshihej në Valias.
Policia ka marrë dhe dëshminë e italianit që ka ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Pas koordinimeve me komisariatin e Himarës kanë marrë informacion për autorin. Falë punës së komisariatit 4 dhe 5 është arrestuar përfundimisht dhe Arapi.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.05.2023, në rrugën “Fadil Deliu”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të një fasonerie, në pronësi të italianit Roberto Bingaido.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe atë të Himarës, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.05.2023, në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i Edmond Arapi, 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç.
Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të Roberto Del Gaido.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së Edmond Arapit.