Një kameriere nga Nju Jorku është pushuar nga puna pasi u tha shefit të saj se nuk do të marrë vaksinën e Covid-19 sepse po përpiqet të mbetet shtatzënë.
Bonnie Jacobson u shkarkua nga puna pasi shefi i saj i restorantit Red Hot Tavern prezantoi rregullat e reja, ku i gjithë stafi duhej të vaksinohej.
Autoritetet shëndetësore amerikane janë shprehur se vaksinimi është një zgjedhje personale për njerëzit që janë shtatzënë.
Bonnie tha për mediat amerikane se ajo u pushua nga puna pasi i dërgoi shefit një email ku i shkruante se nuk dëshiron të vaksinohet sepse ajo dhe burri i saj po përpiqen të bëjnë një fëmijë.
“Unë isha i sinqertë, kam rezervat e mia për këtë, fola me një mjek dhe më tha që nuk ka problem dhe nëse nuk vaksinohesh”, u shpreh kamerierja.
Ajo tregon se fillimisht, shefi i restoranti i tha se vaksina nuk ishte e detyrueshme. Por ditë më vonë mori një email duke i komunikuar politikën e re për të ruajtur një mjedis të sigurt pune.
Bonnie është shprehur se nuk do përpiqet që të rifitojë vendin e punës me një proces gjyqësor dhe nuk është kundër vaksinimit.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se vaksina është e sigurt por rreziqet aktuale të vaksinave të mARN për gratë shtatzënë dhe fetusin e tyre janë të panjohura sepse këto vaksina nuk janë studiuar tek gratë shtatzëna.
Billy Durney, i cili është pronari i Red Hook Tavern, tha në një deklaratë për mediat: “Sapo Nju Jorku lejoi punëtorët e restoranteve të merrnin vaksinën Covid-19, ne menduam se kjo ishte mundësia e përsosur për të vendosur një plan për të mbajtur ekipin tonë dhe mysafirët e sigurt. Askush nuk është përballur me këto sfida më parë dhe ne morëm një vendim që menduam se do të ishte më e mira për të gjithë.”