Vetëm 750 mijë familje, kanë sot një adresë unike me 8 komponentë, por që çdo shqiptar të ketë një të tillë, Ministria e Brendshme ka nisur një fushatë të regjistrit të adresave të banimit. Ministri Bledi Çuçi ka mbledhur sot kryetarët e bashkive, ku kërkoi bashkëpunimin e tyre në lidhje me këtë proces.
“Sot 750 mijë familje kanë një adresë të saktë në Republikën e Shqipërisë që ka 8 komponentë. I takon çdo shtetasi shqiptar një adresë unike, por jemi akoma larg. Të gjithë shqiptarët duhet ta kenë një adresë. Sot vëmë në dokumentet zyrtare, fletëthirrje gjykatash apo dritash dhe uji adresa të tipit: rruga “Pallati Jeshil Eleonora”. Kemi nisur si Ministri e Brendshme që t’i vëmë pikë këtij problemi që çdo shqiptar të evidentohet me një adresë me 8 elemente përbërëse dhe na duhet përfshirja e të gjithëve institucioneve. Rol kryesor luajnë zyrat e gjendjes civile dhe bashkitë, përfshirja e vetë qytetarëve që duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin pjesë në verifikimin e adresave dhe të gjithë aktorët e tjerë për të pasur një adresë të evidentueshme dhe unike. Çdo banesë në Shqipëri e ka këtë adresë, kjo adresë duhet t’i bashkangjitet familjeve shqiptare dhe është detyrim i çdo shtetasi”.
Çuçi deklaroi se procesi i disiplinimit të adresave ka filluar me OSHEE, por theksoi se çdo shqiptar mund të verifikojë dhe saktësojë adresën e tij përmes portalit e-albania apo në zyrat e gjendjes civile.
“Procesi i disiplinimit ka filluar, kemi bërë një proces së bashku me një agjenci siç është OSHE, ku kemi evidentuar çdo ndërtesë dhe i kemi vendosur një adresë që ka gjeneruar si rezultat i një sistemi unik të krijuar dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse këtij sistemi adresash të vendosura në hartë digjitale t’i bashkangjisim familjet apo shtetasit shqiptarë. Fillojmë sot një fushatë tjetër për ta përmbyllur këtë proces që ka qenë një gangrenë. Kemi vendosur sistemin e verifikimit dhe saktësimit të çdo adrese për çdo shqiptar përmes portalit e-albania. Çdo shqiptar me një proces të lehtë verifikon nëse ka një adresë apo jo. Nëse verifikon që nuk e ka një adresë të saktë me 8 elemente sipas sistemit të ri të adresave, vetë ai mund ta regjistrojë në sistemin e adresave nëpërmjet portalit e-albania. Kushdo tjetër mund të shkojë te zyra e gjendjes civile dhe bën verifikimin drejtpërdrejt”.
Ministri i Brendshëm evidentoi se problematika me sistemin e adresave është krijuar pas viteve ’90 me lëvizjet kaotike të njerëzve.
“Fushatë për një problem të rëndësishëm që ka të bëjë me sistemin e adresave në Shqipëri. Është një proces që ka krijuar pështjellimin e vet problematik që pas viteve ‘90. Të gjithë ndryshimet e mëdha dhe lëvizja kaotike e njerëzve, ndërtimet pa leje. Lëvizja nga fshati në qytet e pa kontrolluar kishte krijuar një sistem kaotik të adresave të shtetasve që ne e kemi rregulluar me regjistrin kombëtar”.