Trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, foli në konferencën për shtyp përpara dy miqësoreve ndaj Spanjës (e shtunë, 26 mars) dhe Gjeorgjisë (29 mars). Trajneri i kombëtares shqiptare u ndal tek ekipi kundërshtar, djemtë e tij dhe ajo çfarë pret nga këto dy sfida. Ai foli edhe eliminimin e Italisë dhe pse do të donte të luante kundër Maqedonisë së Veriut.
I pyetur se sa shërbejnë këto miqësore, Reja tha: “Nuk doja të përballeshim me skuadra të vogla, dua të sfidojmë ekipe të mira dhe cilësorë si Spanja dhe Gjeorgjia. Do doja të luanim ndaj Maqedonisë së Veriut për të parë se kush është ekip më i fortë. Ata janë në formë, dueli kundër tyre do na shërbente për të parë se ku jemi”.
SPANJA – “Futbollin spanjoll e vlerësoj shumë. Ata luajnë shumë mirë me topin dhe kanë një filozofi të veçantë. Komplimente Luis Enriques, ai po bën një punë të shkëlqyer prej 4 vitesh. E njoha kur erdhi te Roma. Isha më me fat, pasi fitova dy herë derbin me të. Ishte trajner i ri kur erdhi te Roma, e urova të bëhej një trajner i madh kur e takova. Është trajner i madh dhe njeri i shkëlqyer, ai e meriton gjithë konsideratën time”.
ITALIA – “Një argument shumë i gjatë, duhet shumë për ta analizuar këtë dështim. Italia gaboi në ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Irlandës së Veriut, i barazuan të dyja ndeshjet vendimtare. Ekipi m’u duk i lodhur fizikisht ndaj Maqedonisë së Veriut, por 12 vite pa Botëror janë shumë. Jam shumë i zhgënjyer, është për të të ardhur keq”.
MAQEDONIA E VERIUT – “Maqedonia e Veriut nuk është aspak surprizë, ata kanë edhe disa lojtarë shqiptarë, më bëhet qejfi për ta. Ata merituan gjithçka, ndërsa Italia nuk luajti në nivelin e saj, nuk ishte aty ku duhej, krijuan pak raste për gol”.
LOJË APO REZULTAT – “Po përmirësohemi hap pas hapi, të vazhdojmë në këtë rrugë. Do doja edhe lojë të mirë si skuadër, por edhe një rezultat pozitiv ndaj Spanjës. Duhet të dalim nga stadiumi me vetëdijen se kemi bërë një ndeshje të mirë, të mos luajmë si ndaj Anglisë. Luajmë me një skuadër shumë të fortë, është e kotë të flasësh për Spanjën. Dua të luajmë mirë, është një nga ato ndeshje që do të na vlejë shumë për të ardhmen. Janë ndeshje që do u vlejnë djemve, por do na tregojnë edhe ku jemi, në çfarë niveli jemi. Ekipi dhe djemtë janë shumë entuziastë, të gjithë duan të luajnë ndeshje të tilla, nga të cilat përfiton eksperiencë”.
KËRKESA – “Kemi pasur rritje si ekip, qoftë edhe me rezultate. I kisha kërkuar Federatës që të luanim dy miqësore shumë të forta. Më vjen mirë që do të luajmë ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë. Më vjen mirë që djemtë po punojnë shumë dhe kanë dëshirë të përballen me Spanjën”.
FORMA – “Fizikisht duhet të jemi ‘top’, vetëm kështu mund të përballesh me Spanjën, një ekip teknik që luan dhe qarkullon topin. Do na duhet të vrapojmë shumë kur ata të kenë topin, por kemi lojtarë me cilësi të tilla: të cilët japin maksimumin, luftojnë, kanë rezistencë dhe karakter”.
NDESHJA – “Duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar për 90- minuta. Ata kanë lojtarë të shpejtë, të cilët të vënë në vështirësi edhe me pasimet e shkurtra. Spanja është një skuadër që ka vënë në vështirësi këdo, edhe rivalët më të fortë. Do e kemi të vështirë, kanë lojtarë që të surprizojnë, por do të përpiqemi të shfrytëzojmë hapësirat që do kemi. Nuk më intereson aspekti individual, është shumë e vështirë ta zgjidhësh këtë ndeshje vetëm, kështu që duhet të luajmë si ekip, kjo është e rëndësishme”.
FORMACIONI – “Nesër do të vendos, akoma nuk kam vendosur për titullarët. Djemtë më kanë dhënë përshtypjen se janë të gjithë në formë, ekipi është në formë të shkëlqyer fizike”.
SULMI – “I vendos shumë rëndësi kolektivit, duhet të jemi të bashkuar, të kemi një kolektiv solid. Te pesë sulmuesit luajnë me ekipet e tyre, kanë pasur minuta, janë në formë shumë të mirë. Edhe mesfushorët po luajnë me klubet e tyre. Të gjithë mund të luajnë nesër, por nuk mund ta them një ditë përpara formacionit e ndeshjes. Do ua them më para djemve nesër, më pas do ua them edhe juve. Më intereson vetëm kolektivi, jo aspekti individual”.
SA SHËRBEJNË KËTO MIQËSORE – “Çdo ndeshje vlen për procesin e rritjes. Nuk doja të përballeshim me skuadra të vogla, dua të sfidojmë ekipe të mira dhe cilësorë si Spanja dhe Gjeorgjia. Do doja të luanim ndaj Maqedonisë së Veriut për të parë se kush është ekip më i fortë. Ata janë në formë, dueli kundër tyre do na shërbente për të parë se ku jemi”.
TË RINJTË – “Kemi Asllanin dhe Bajramin si lojtarë të rinj, të cilët kanë cilësi shumë të mira dhe po bëjnë mirë. Kemi edhe Balliun, i cili nuk ka qenë i gatshëm për shkak të problemeve fizike. Ai është rikthyer, ndodhet në formë shumë të mirë dhe dua ta shoh në aksion. Skema 3-5-2? Po, do luajmë me skemën 3-5-2″.