Pas disfatës me Izraelin, trajneri Reja është dukur mjaft i revoltuar me lojtarët e tij. Italiani theksoi pas ndeshjes së kundërshtarit iu bënë dhurata edhe këtë herë.
“E njëjta gjë ndodhi edhe në Islandë. Dhurohet goli dhe pastaj merr fund. Deri te goli po luanim mirë, pastaj e dhuruam ndeshjen. Dolëm të sulmonim dhe ata nuk pritnin gjë tjetër.
Ua dhuruam golin e barazimit në pjatë të argjendtë, ishim 2 kundër 3. Nuk mund të bëhet një dalje e tillë, duhet edhe koka kur je lojtar, duhet arsyetuar në fushë. Ishim vetëm me Gjimshitin dhe Veselin te goli i tyre.
Pastaj luajtëm keq, sepse në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Ishim agresivë dhe i vumë në vështirësi. Kush ka thënë që jemi favoritë? Izraelin e pamë edhe sot. Nëse bën gabim dhe nuk është i pari, sespe po flasim prej tre vitesh, është gjithmonë diçka që nuk bëhet ky hap.
Jo se skuadra nuk ka aftësi, por bën gabime. Duhet të lexosh në fushë, unë mund të jap instrumentet, por janë lojtarët që duhet të kuptojnë se kush është momenti i rrezikut. Duhet përulësi dhe modesti, kështu arrihen rezultatet”, – tha trajneri Reja.
Italiani komentoi edhe lëvizjet e bëra nga stoli: “U mundova të bëja zëvendësime për të shtuar forcën, pasi nuk dilnim dot përpara. Doja të shfrytëzoja lojën në ajër. Gjithçka u kompromentua te barazimi, u fikëm.
Abrashi ishte në limite që në fundin e pjesës së pare. Bajrami e Asllani janë lojtarë teknikë, por sot duhej më shumë ana fizike. Vendosa Gjasulën, sepse ka gjendje fizike. Ata u karikuan nga goli.
Bëmë një gabim te goli i parë, që një skuadër normale nuk e pëson. Nga pikëpamja individuale skuadra dha çfarë kishte, por duhet përdorur pak më shumë koka. Kjo është e gjitha”.