Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka prezantuar listën me 27 futbollistët që ka vlerësuar të ketë në dispozicion për ndeshjet e nëntorit dhe më pas u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
Tekniku italian ka pranuar vështirësitë në hartimin e listës, pasi disa futbollistë janë të dëmtuar dhe të tjerë kanë probleme udhëtimi për shkak të koronavirusit, ndërsa theksoi se vetëm të martën do të ketë një ide të plotë se mbi cilët lojtarë duhet të bazohet.
“Ashtu si herën e kaluar, qartësisht kemi disa probleme për shkak të koronavirusit, që ka prekur disa lojtarë, ndërsa të tjerë janë të dëmtuar dhe këtu kam parasysh emra si Strakosha, Dermaku, Bare, Çekiçi, Lenjani, Roshi, Kamberi, Mersinaj, Kamberi, por edhe Trashi e Vrioni janë në pikëpyetje. Megjithatë ka edhe disa klube që nuk duan t’i lejojnë lojtarët, ose shtete të caktuara krijojnë vështirësi lëvizjeje, por do të shohim deri të hënën se cilët lojtarë do të vijnë. Për shembull Gjasula luan të hënën me klubin e tij dhe më pas do të shohim nëse do të vijë apo jo në grumbullim. Të martën do të kemi një konferencë për shtyp para ndeshjes me Kosovën dhe do të kemi një panoramë më të plotë mbi lojtarët që do të kemi në dispozicion”, tha Reja në nisje të konferencës për shtyp.
Ju shqetëson fakti që një pjesë e lojtarëve që luajnë kryesisht në sulm, nuk kanë minuta? A keni kontaktuar me klubet, për të shmangur një situatë si ajo e herës së fundit ku shumë lojtarë nuk u lejuan t’i bashkohen kombëtares?
Unë kam folur me klubet italiane dhe të tjera, por edhe presidenti i FSHF-së është angazhuar për të biseduar. Çfarë ka kaluar, ka kaluar, por ne po mendojmë veçanërisht për tre ndeshjet që na presin dhe do të donim t’i kishim të gjithë lojtarët. Kam dyshime të forta që disa lojtarë, kryesisht që luajnë në Itali, mund të mos vijnë, megjithëse unë uroj që jo, pasi do të kishim probleme, veçanërisht në fazën mbrojtëse. Megjithatë të presim me besim në këto dy ditë dhe vetëm të martën do të bëj llogaritë me lojtarët që do të kem në dispozicion. Kam vetëm një natë për të përgatitur ndeshjen me Kosovën dhe nuk është e lehtë, por të shohim. Jam i shqetësuar për këtë situatë dhe problemet me klubet, por të presim me shpresën që të kemi sa më pak telashe.
Luhen dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve dhe nëse nuk arrini vendin e parë, a mund të cilësohet si një edicion i dështuar?
Dëshira jonë në dy ndeshjet që kaluan, ishte të merrnim të paktën 4 pikë, por morëm vetëm dy. Kemi krijuar mundësi të shumta, por nuk kemi konkretizuar, ndaj është e qartë që në dy ndeshjet e radhës jemi të detyruar të fitojmë. Pavarësisht kush lojtar do të vijë, në fushë luan Shqipëria dhe duhet që kushdo të zbresë në fushë, duhet të japë 110% për të fituar këto ndeshje dhe për të arritur objektivin që kemi.
Si e komentoni vendimin e qeverisë për të mos lejuar praninë e tifozëve në stadium?
Ndeshjet pa tifozë nuk janë ndeshje natyrale futbolli dhe shpesh kam parë që edhe në kampionatin italian, duken si takime miqësore. Do na ndihmonin dhe do ishim komodë me tifozët tanë në stadium. Në fushë do japim maksimumin edhe pse pa tifozë. Është një futboll ndryshe dhe ne duhet të japim maksimumin për objektivin, pasi ndeshjet duhet të luhen dhe ne do të jemi gati të bëjmë më të mirën në fushën e lojës.
Në sulm do të luajnë të rinjtë si në dy ndeshjet e tetorit, apo do t’u besoni ekspertëve si Cikalleshi e Balaj?
Kemi provuar të rinj si Broja, që ka bërë mirë dhe po bën mirë edhe në klubin ku po luan. Kemi parë edhe Kallakun dhe do të kemi mundësi ta shohim edhe në ndeshjen ndaj Kosovës e më pas do të bëjmë vlerësimet, pasi dy ndeshjet e Ligës së Kombeve janë shumë të rëndësishme. Nuk mund të lëmë pas dore edhe ndeshjen me Kosovën, që është shumë e ndjerë, pasi luajmë kundër vëllezërve tanë, pasi janë të gjithë shqiptarë në fushë. Është gjithashtu një ndeshje shumë e rëndësishme për ata që kanë luajtur pak gjatë kësaj kohe në klubet e tyre, por edhe për të provuar ndonjë të ri. Gjithsesi në fushë duhet të hedhim një skuadër konkurruese, pasi kam konsideratë të lartë për Kosovën. Nuk e di si do ta përgatis këtë ndeshje, pasi shumë lojtarë do të vijnë vetëm të hënën në mbrëmje dhe do të jetë e vështirë të shohim cili do të jetë gati për të luajtur.
A e dini se pikërisht pas ndeshjes miqësore ndaj Kosovës, nisi edhe fundi i projektit të Panuccit?
Jetojmë në një moment ndryshe dhe shumë të veçantë. Në një moment tjetër do të kishim një organikë më të plotë për të përballuar këto takime, por unë duhet të bëj llogaritë mbi të gjitha me ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kosova është një ndeshje e ndjerë, por të mos flasim për kohën e Panuccit, pasi unë duhet të përballem me realitetin dhe të marr në konsideratë situatën dhe të mendoj edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj Kosovës duam të bëjmë një ndeshje të mirë dhe sigurisht të mos humbim, pasi këtë synim kemi gjithmonë. Është një situatë e vështirë, por ne jemi Shqipëria dhe duhet të bëjmë më të mirën në fushën e lojës, sa herë që na jepet mundësia. Duhet të bëjmë tre ndeshje të një niveli të lartë.
Në listë janë 7 sulmues, por janë vetëm 4 qendërmbrojtës, që bëhen 5 bashkë me Çepelen. A mund të jetë kjo një arsye që t’ju detyrojë të ndryshoni skemën për ndeshjet e ardhshme?
Patjetër që mund të jetë një arsye, pasi mund të mbetemi pak dhe të kemi vështirësi. Skema bëhet në bazë të lojtarëve që ke në dispozicion, pasi nëse mungojnë mbrojtësit, duhet gjetur një zgjidhje. Veseli, Ismajli e Gjimshiti duhet të vijnë, ashtu si Hysaj, por nuk dihet se si do të shkojnë gjërat. Ne urojmë të vijnë të gjithë, por nëse nuk vijnë, do të shohim. Do të doja ta spostonim të gjithë diskutimin për të martën, kur të kem të plotë listën e lojtarëve që do të kem në dispozicion dhe të flasim për skemën. Do të më pëlqente që të aplikonim një 4-3-1-2, por të shohim. Unë në karrierë kam luajtur me skema të ndryshme, por në rreshtimin me tre kam gjetur ekuilibrat e duhur në prapavijë, ndaj edhe kemi pësuar pak, por edhe kemi shkuar me shumë lojtarë në sulm.