Aktualitet Rekord aplikimesh për mbrojtjen e markës: Certifikata e regjistrimit nga DPPI, “imunitet”...

Rekord aplikimesh për mbrojtjen e markës: Certifikata e regjistrimit nga DPPI, “imunitet” ndaj falsifikimeve 

Bizneset shqiptare duket se po ndërgjegjësohen çdo ditë dhe më shumë për përfitimet e regjistrimit të markës tregtare. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Pronësisë Industriale të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se viti 2021, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID 19, ka shënuar një rekord historik aplikimesh nga subjektet për mbrojtjen e markës.

Konkretisht, përgjatë vitit që lamë pas janë paraqitur për regjistrim marke në total 1404 aplikime, në krahasim me 1164 aplikime të regjistruara në vitin 2020, me një rritje në rang kombëtar me 17 për qind.  Po ashtu, po ti referohemi periudhës 2015-2021, trendi i aplikimeve kombëtare ka qenë në rritje progressive nga viti në vit.  Në 2015 numri i subjekteve të interesuara rezulton në 973.

Ndërsa numri i aplikimeve për shtirje ndërkombëtare për regjistrim marke përgjatë 2021-shit rezulton ne 2585.  Por çfarë është marka tregtare dhe për çfarë shërben regjistrimi i markës së biznesit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale?  Çdo shenjë që është e aftë të dallojë mallrat ose shërbimet, përfshirë fjalët, emrat, shkronjat, numrat, vizatimet, fotografitë, etj., mund të përdoren si një markë tregtare.

Mbrojtja ligjore e një marke tregtare merret nëpërmjet regjistrimit të saj, dhe në disa shtete me anë të përdorimit të saj. Për të regjistruar markën tregtare, hapi i parë është depozitimi i formularit pranë zyrës kombëtare ose rajonale të markave tregtare, e cila shqyrton aplikimit në përputhje me legjislacionin dhe jep të drejtën ose refuzon regjistrimin e markës tregtare.

Marka tregtare ka vlefshmëri kohore 10 vjet nga momenti i regjistrimit dhe më pas është e nevojshme të ripërtërihet. Pajisja me certifikatën përkatëse e mbron biznesin nga dublimi i emrit apo logos së tij dhe keqpërdorimi i shërbimeve apo produkteve që ai ofron.

Elisabeta Dosku / SCAN