Një sezon për t’u harruar për njërin nga portierët më të mirë në botë dhe më të kërkuarin në merkato. Në fakt, David de Gea nuk i ka shpëtuar paraqitjes zhgënjyese të skuadrës ku luan, Manchester United, duke bërë edhe ndonjë gafë herë pas here, sikurse ishte ajo në “Camp Nou”, ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve.
“Gardiani” spanjoll pësoi dy gola mbrëmë në derbin ndaj Manchester City, duke vendosur një rekord negativ, që nuk njihej te “Djajtë e Kuq” prej 40 vitesh. Ai pësoi golin e 50-të në këtë sezon, në Premier League, teksa ka qenë në të gjitha ndeshjet titullar dhe i pazëvendësueshëm. Kjo ndodh për herë të parë te Manchester United, në elitën e futbollit anglez, në katër dekadat e fundit.
“Rekord i zi”, që dëshmon momentin aspak pozitiv të De Gea dhe të gjithë skuadrës nga “Old Trafford”, e cila rrezikon seriozisht të mbetet jashtë zonës “Champions”, edhe pse me dy trajnerë në drejtim: Jose Mourinho e Solskjaer. Portieri i kombëtares së Spanjës nuk ka pranuar të rinovojë me klubin aktual, ndërsa flitet se pas këtij refuzimi qëndrojnë milionat e sheikëve të PSG-së, që e duan atë në “Parce des Princes”.