Bota Rekord rastesh në Itali, shënohen 127 viktima

Rekord rastesh në Itali, shënohen 127 viktima

Italia shënoi ditën më “të zezë” për sa i përket rasteve të reja me Covid. Autoritetet shëndetësore kanë deklaruar 15199 raste pozitive ndaj COVID-19, një rekord që nga fillimi i pandemisë në fillim të këtij viti. Bilanci shënon një rritje domethënëse edhe duke e ballafaquar me ditën e djeshme, ku të prekurit ishin 10874.

Për më tepër, rritet në mënyrë shqetësues edhe bilanci i viktimave, që sot ishin 127, ndërkohë që 24 orë më parë ishin 89. Lajmi i mirë vjen vetëm nga të shëruarit, që ishin 2369.

Rajoni më i goditur është Lombardia, që ka praktikisht dyfishuar të prekurit nga dita e djeshme, me 4126 pozitivë. Në atë rajon, ashtu si në Kampanja, sot me 1760 raste në rajonin ku është kryeqendër Napoli, autoritetet shëndetësore deklarojnë se situata ka dal jashtë kontrollit” dhe aty priten tashmë masa edhe më shtrënguese.

Është domethënës fakti që në provincat dikur vatër të infeksionit në mars, ato të Bergamos, Breshias dhe Kremonës, infeksionet kanë qenë nga më të ulëtat, pothuajse sikur të kishin krijuar një imunitet grupi, siç pohoi vetë kryebashkiaku i Milanos, Sala.

Shqetësuese edhe situata në Veneto, ku ka ngritje të lartë rastesh, me 1083 të tilla, ndërkohë që në Lacio janë 1219.