6 muaj që nga evidentimi i pacientit zero me Covid në Shqipëri, bilanci i pandemisë sa vjen e rëndohet. Gushti rezulton muaji me më shumë të vdekur e të infektuar.
Gushti ka shënuar numrin më të lartë të viktimave për shkak të Covid-19. 127 persona kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve nga covid në Shqipëri. Po ashtu, edhe numri i të infektuarve ka pësuar rritje.
Nga afro 10 mijë të infektuar në total, afro gjysma janë regjistruar gjatë këtij muaji. Mosha mesatare e personave që kanë humbur jetën në muajin Gusht është 67 vjeç.
Në 5 muajt e tjerë, në Mars, Prill, Maj, Qershor e Korrik, në total numri i viktimave ishte 157, prej tyre 93 vetëm gjatë muajit Korrik. Në total numri i viktimave në vend ka arritur në 284.
Që prej fillimit të pandemisë, afro 10 mijë persona janë prekur nga Covid dhe mbi 4 mijë janë ende aktivë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, mesatarja është 153 raste.
Vatra kryesore vijon të mbetet Tirana me afro 2100 persona aktivë me Covid, e ndjekur nga Durrësi, Shkodra, Lezha dhe Korça. Sipas ekspertëve, pakujdesia, kryesisht tek të rinjtë, dhe mosrespektimi i masave anti-Covid po sjellin raste të shtuara./Tv Klan