Kryesore Rekordi i ri COVID-19, OBSH: 183 mijë raste brenda 24 orëve të...

Rekordi i ri COVID-19, OBSH: 183 mijë raste brenda 24 orëve të fundit

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), me një rekord prej mbi 183 mijë raste të zbuluara me koronavirusin e ri (COVID-19) gjatë 24 orëve të fundit, virusi është ende vdekjeprurës dhe ende nuk ka treguar shenja domethënëse të humbjes së fuqisë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media tha se “duket se pothuajse çdo ditë arrijmë në një rekord të ri dhe të zymtë”.

“Mbi 183 mijë raste të reja me COVID-19 u raportuan në OBSH, në një ditë të vetme deri më tani”, tha Tedros.

Ai theksoi se mbi 8,8 milionë raste janë raportuar deri më tani në OBSH, prej të cilëve mbi 465 mijë kanë humbur jetën.

Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së mbi pandeminë COVID-19, u përgjigj se aktualisht ka mbi 49 mijë sekuenca të plota gjenomi në dispozicion që shkencëtarët të ekzaminojnë “për të përcaktuar nëse ka ndryshime tek virusi”.

“Ne nuk e kemi parë ende këtë, por kemi një grup njerëzish globalisht që po e shikojnë këtë. Duhet të theksojmë se ky virus është shumë vdekjeprurës. Kur ka një mundësi për të infektuar njerëzit, ai mund të vrasë njerëz. Kështu që, ne duam të sigurohemi që të gjithë ta trajtojnë këtë virus seriozisht dhe të sigurohemi se ne bëjmë gjithçka që mundemi për parandalimin e infeksionit”, tha Van Kerkhove.

Tedros theksoi se disa vende që e kanë fituar me sukses betejën kundër transmetimit tani kur rihapën shoqëritë dhe ekonomitë e tyre po regjistrojnë një ngritje në rastet e reja të zbuluara.

“Të gjitha vendet po përballen me një ekuilibër delikat midis mbrojtjes së njerëzve të tyre duke minimizuar dëmin social dhe ekonomik. Nuk është një zgjedhje midis jetës dhe jetesës. Vendet mund t’i bëjnë të dyja”, tha Tedros.

Ai tha se OBSH i nxit vendet “të jenë të kujdesshëm dhe krijues në gjetjen e zgjidhjeve që u mundësojnë njerëzve të qëndrojnë të sigurt përderisa vazhdojnë me jetët e tyre”.