Bota Rekrutonte të huaj në shtëpi për të përdhunuar gruan e vet, dënohet...

Rekrutonte të huaj në shtëpi për të përdhunuar gruan e vet, dënohet ish-bashkëshorti dhe 50 burra të tjerë

Dominique Pelicot është dënuar me 20 vite burg për përdhunimin e përsëritur dhe për rekrutimin e dhjetëra burrave për të abuzuar ish-bashkëshorten e tij, Gisèle Pelicot. Të 51 burrat në gjyq u shpallën fajtorë për akuzat kundër tyre, duke i dhënë fund një rasti përdhunimi masiv që ka tronditur Francën dhe një pjesë të madhe të botës..

Gisèle Pelicot, e cila hoqi dorë nga anonimiteti për të ndihmuar viktimat e tjera të dhunës seksuale, u përshëndet nga mbështetësit e saj jashtë gjykatës në Avignon, Francë. Por disa janë të shokuar që dhjetëra përdhunuesit e dënuar nuk kanë marrë dënime më të gjata.

Ish-burri i Gisèle, i pari që u dënua, mori dënimin maksimal prej 20 vitesh burg. Ai u shpall fajtor jo vetëm për abuzimin ndaj ish-bashkëshortes së tij, por edhe për krijimin dhe shpërndarjen e imazheve me natyrë seksuale të vajzës së tij, Caroline, dhe të dy grave të tjera, bashkëshorteve të djemve të tij. Gjatë dhënies së dënimit, Dominique u pa duke qarë në gjykatë. Ai ka 10 ditë kohë për të apeluar vendimin; avokati i tij ende nuk e di nëse do ta bëjë këtë.

Si organizonte Pelicot dhunimin e gruas së tij

Gisèle Pelicot u drogua nga ish-burri i saj dhe, ndërsa ishte pa ndjenja, u përdhunua mbi 200 herë nga dhjetëra burra. Abuzimi zgjati më shumë se një dekadë. CNN raportoi se si Dominique përdorte dhomat e bisedave online për të rekrutuar të huaj që të merrnin pjesë në përdhunimin masiv. Të 51 burrat në gjyq u shpallën fajtorë: 50 për përdhunim dhe një për sulm seksual.

Zbulohet rasti tronditës në gjykatë

Një burrë, 63-vjeçari Jean-Pierre Marechal, u shpall fajtor për përdhunimin dhe drogimin e gruas së tij, Cilia M. Gjatë gjyqit, Marechal tha se kishte kopjuar metodën e Dominique Pelicot. Marechal u dënua me 12 vite burg – shumë më pak se 17 vitet që kërkuan prokurorët.

Dënime të lehta për shumë të pandehur

Dënimi i Marechal ishte i pari nga shumë të tjerë që ishin më të lehtë sesa ato që kërkonin prokurorët. Të paktën pesë nga burrat e shpallur fajtorë për përdhunim do të dalin të lirë nga gjykata sot, pasi disa tashmë kanë vuajtur dënimin dhe të tjerët morën dënime me kusht. Brenda gjykatës, disa mbetën të habitur nga dënimet e shkurtra që u lexuan. Në një rast, Caroline Darian, vajza e Pelicot, tha: “Kjo nuk është e mundur”.

Përdhunues të përsëritur

Disa nga përdhunuesit e dënuar që kishin vizituar shtëpinë e Pelicot disa herë morën dënime më të gjata. Romain V., i cili kishte vizituar shtëpinë gjashtë herë, u dënua me 15 vite burg. Charly A., i cili gjithashtu kishte vizituar gjashtë herë, u dënua me 13 vite.

Mbështetësit e Gisèle

Gisèle Pelicot u duartrokit nga dhjetëra mbështetës të saj që ishin mbledhur jashtë gjykatës. Njëri mbante një pankartë ku shkruhej: “Kështu turpin e mbajnë ata”. Pelicot përsëriti këtë frazë gjatë gjyqit të saj rraskapitës, duke thënë se autorët e dhunës seksuale – jo viktimat – janë ata që duhet të ndihen të turpëruar.