Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, u shpreh në një konferencë për shtyp se të hënën (18 tetor) do të nisë viti i ri akademik, për të gjitha ciklet e arsimit, përjashtuar vitin e parë master, që do të nisë më 10 nëntor.
Hoxha foli edhe për situatën me studentët e pavaksinuar: “Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve të vaksinuar, mbi 50%, nga 60% që i janë përgjigjur pyetësorit. Më të vaksinuar janë studentët që sapo nisin vitin e parë Bachelor. Universiteti i Tiranës do të pranojë studentë me test PCR, dokument që e kanë kaluar Covid-19, apo studentët që për gjendjen shëndetësore nuk mund ta bëjnë vaksinën”.
Në lidhje me mësimin “online”, rektori i UT-së u shpreh: “Nuk u lejua për shkak se ka dy vite që studentët nuk e kanë shkelur auditorin, ndaj referuar edhe urdhrit të ndryshuar të Ministrisë së Shëndetësisë, do të heqim përkohësisht mësimin “online”, por do të shohim përgjigjen e studentëve dhe do të kemi vendime të tjera, për mos të rrezikuar vitin akademik për studentët e pavaksinuar. Për momentin, do të zbatojmë urdhrin e botuar në Fletoren Zyrtare”.
Hoxha nënvizoi se “ditën e hënë nuk do të hyjë askush pa vaksinë apo dokumentacion, ndaj duhet të ndërgjegjësojmë studentët”.