Në familje dhe në shkollë një nga rregullat bazë që çdo fëmijë mëson është kujdesi për higjienën personale.
Megjithëse higjiena e duarve nuk është një koncept i ri, ajo ka marrë më shumë rëndësi për shkak të krizës aktuale që e gjithë bota është duke përjetuar.
Larja e duarve rregullisht me sapun dhe ujë është mënyra më e mirë për të parandaluar jo vetëm përhapjen e virusit, por edhe të shumë sëmundjeve të tjera ngjitëse.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka vendosur datën 5 Maj, si Ditën Botërore të Higjienës së Duarve. Këtë vit, tema është “Shpëto jetë: Kujdesu për higjienën e duarve”.
Qëllimi është që higjiena e duarve të bëhet përparësi globale duke inkurajuar një ndryshim të sjelljes.
Një higjienë jo e mirë personale mund të çojë në probleme të ndryshme shëndetësore.
Prekja e fytyrës me duar të papastra mund të transferojë mikrobet në lëkurë, që mund të bëhen burim infeksionesh. Tek personat me lëkurë të ndjeshme, mund të shkaktojë edhe skuqje.
Higjiena e duarve është gjithashtu thelbësore në zvogëlimin e përdorimit të antibiotikëve dhe uljen e rezistencës ndaj tyre.
Kjo për shkak se rritja e infeksioneve mund të çojë në rritjen e konsumit të antibiotikëve.
Përdorimi i sapunit dhe ujit të pastër për të larë duart, ose aplikimi i një dezinfektuesi është zgjedhja më e mirë për të ndihmuar jo vetëm në luftimin e COVID-19, por edhe në shmangien e sëmundjeve të tjera. Në fund të fundit, gjithçka është në duart tuaja.