Argjentina kampione e botës në fuqi, kthehet në krye të renditjes së FIFA-s pas gjashtë viteve. Në klasifikimin e përditësuar për skuadrat përfaqësuese, Selecion i mori vendin Brazilit, që pas humbjes së dy pozicioneve e sheh veten i treti.
Në vendin e dytë u ngjit edhe Franca, skuadra që humbi finalen e Botërorit Katar 2022 përballë Lionel Messit.
Në suksesin e argjentinasve ndikuan edhe dy miqësoret e fituara, 2-0 përballë Panamasë dhe 7-0 ndaj Curaçao. Në anën tjetër, rënia e Brazilit u ndikua nga humbja 2-1 e pësuar në miqësoren me Marokun.
Përveç vendeve të podiumit, nuk ka ndryshime të tjera në Top 10. Belgjika mbetet e katërta, e ndjekur nga Anglia, Holanda, Kroacia, Italia, Portugalia dhe Spanja. Ndryshime të tjera të rëndësishme janë ngjitja e Senegalit në vendin e 18-të, zbritja e Danimarkës në vendin e 19-të.
Në renditjen e muajit prill, dy vende humbi edhe Shqipëria. Disfata që kuqezinjtë pësuan në Poloni, nuk kompromentoi vetëm ecurinë në Euro2024, por bëri që skuadra e Sylvinhos të zbresë në vendin 68-të.
Në anën tjetër, Kosova mbetet e 107-ta në renditjen e FIFA-s, sepse barazimi në fushën e Izraelit në debutimin e kualifikueseve, u zhvlerësua nga ndalesa në shifrat 1-1 përballë Andorrës, në ndeshjen e luajtur në Prishtinë.