Sport Renditja e FIFA-s: Shqipëria ngjit tre vende dhe vendos një rekord për...

Renditja e FIFA-s: Shqipëria ngjit tre vende dhe vendos një rekord për pikët e fituara në shtator

Shtatori kuqezi sjell një rekord të ri për Shqipërinë edhe në renditjen botërore të FIFA-s. Falë barazimit në Pragë me Çekinë dhe fitores në ‘Air Albania’ me Poloninë, Shqipëria është ngjitur me 3 shkallë në renditjen globale duke u pozicionuar aktualisht në vendin e 62 në botë.

Por për t’u theksuar është fakti se rezultatet e muajit shtator kanë sjellë edhe një rritje rekord për sa i përket pikëve me 20.08 pikë për këto dy ndeshje.

Shqipëria ka rritjen më të madhe në pikë për këtë muaj nga të 207 skuadrat kombëtare që janë pjesë e renditjes së FIFA-s.

Edhe pse bëhet fjalë për një të dhënë statistikore, ky është një detaj historik për një kombëtare që po bën historinë edhe në fushën e blertë ku është shumë pranë kualifikimit për herë të dytë në histori në finalet e një kompeticioni madhor si Euro 2024, një mision ku vendimtare do të jetë edhe sfida e 12 tetorit me Çekinë.

Ndërkohë, për sa i përket Kosovës, shtatori nuk ka qenë i suksesshëm për Dardanët. Barazimi me Zvicrën në shtëpi dhe humbja 2-0 në transfertë me Rumaninë kanë bërë që Kosova të humbasë dy vende në renditjen botërore, duke u klasifikuar aktualisht në vendin e 111 në botë, nga i 109 ku ndodhej një muaj më parë.

Argjentina qëndron në vendin e parë. Franca, Brazili, Anglia, Belgjika, Kroacia dhe Holanda vijnë më pas dhe nuk kanë ndryshuar pozicion nga renditja e një muaji më parë.

Portugalia tashmë, me renditjen e re, ka rrëmbyer vendin e Italisë, duke kaluar e 8-ta, ndërsa italianët të 9-ët. Spanja mbyll “top 10” përsëri.