Teksa një ditë më parë ishte në gjendje të stabilizuar, orët e fundit kanë sjell përkeqësim të shëndetit të ish-kryeministrit Fatos Nano. Mediat që citojnë burime nga spitali, bëjnë me dije se ai është futur sërish në intubim në repartin e reanimacionit për shkak se parametrat jetësorë nuk janë në nivelin e duhur.
Fatos Nano vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëri e mushkërisë për të funksionuar normalisht. Ish-kryeministrit i është kthyer problemi kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike.
Ish-kryeministrit i është kthyer në një shqetësim kronik, dhe për këtë arsye, brenda këtij viti është paraqitur disa herë në spital për të marrë shërbim mjekësor.
Hera e fundit ishte të enjten e kaluar, ku Fatos Nano u paraqit në gjendje të rënduar. Lajmi u bë publik vetëm dy ditë më parë, ndërsa u panë sinjale pozitive pasi doli nga intubimi. Por në orët e fundit situata e tij është përkeqësuar dhe për këtë arsye mjekët kanë vendosur të ndjekin një procedurë tjetër trajtimi për të normalizuar parametrat jetësorë të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama i ka akorduar sot liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano medaljen e mirënjohjes publike për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik në Shqipëri.
Në urdhrin e firmosur nga Rama ndër të tjera thuhet se kjo medalje i jepet edhe për frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën tejet shembullore në momente tejet të vështira të politikës kombëtare dhe personale, si edhe për rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit.
Krahas urdhrit, kreu i qeverisë shqiptare lutet për shërimin e tij dhe shpreh mirënjohjen për gjithçka të mirë që ai i dha vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.