Aktualitet RENEA ekzekuton 62-vjeçarin në Maliq: Plagosi gruan e djalin dhe qëlloi mbi...

RENEA ekzekuton 62-vjeçarin në Maliq: Plagosi gruan e djalin dhe qëlloi mbi policinë

Pas tetë orësh negociata, forcat speciale RENEA ekzekutuan 62-vjeçarin Ramiz Muçollari, i cili u ngujua në banesë dhe qëlloi ndaj efektivëve të policisë.

Para se të mbyllej në shtëpi, ai plagosi gruan edhe djalin. Ngjarja ndodhi në fshatin Qesarakë të Maliqit.

Muçollari e goditi bashkëshorten, Pëllumbeshën, 58 vjeçe me mjet prerës në këmbë, ndërsa djalin, Kamberin, 27 vjeç, me mjet të fortë në kokë mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00.

Pas kësaj, ai u mbyll në banesën e tij. Me vete kishte një armë zjarri me të cilën qëlloi edhe ndaj efektivëve të policisë. Fillimisht qëlloi mbi punonjësit e policisë së Maliqit. Për këtë arsye, efektivët mbajtën të rrethuar banesën dhe morën masa të larta sigurie.

Më pas, atje shkuan forcat speciale RENEA. Këta të fundit qëndruan për rreth tetë orë në banesën dykatëshe të Muçollarit dhe negociuan me të që të dorëzohet. Por 62-vjeçari nuk pranoi dhe vijoi të qëllojë edhe në drejtim të forcave të RENEA. Pas kësaj, u mor vendimi drastik për ekzekutimin e tij.

Perimetri i sigurisë u vendos i lartë për të mbrojtur kalimtarët pasi banesa lidhet edhe me aksin nacional Maliq-Korçë, por edhe sepse pranë shtëpisë së Muçollarit ka banesa të tjera pasi lagja është e banuar. Banorët e zonës u evakuuan nga policia.

Sa i përket gruas dhe djalit të 62-vjeçarit, ata janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas deklarimeve paraprake të tyre, dyshohet se Muçollari vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Njoftimi i Policisë Maliq

Shkëmbeu zjarr me Policinë lokale dhe më pas me forcat Speciale “Renea”, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit 62- vjeçari humbi jetën.

Forcat Speciale “Renea”, në bashkëpunim me Policinë lokale të Komisariatit të Policisë Maliq dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, prej më shumë se 8-orësh mbajtën të rrethuar në fshatin Qesarakë, Maliq, banesën e shtetasit Ramiz Muçollari, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij.

Shtetasi Ramiz Muçollari, pas plagosjes së dyfishtë u mbyll në banesë dhe nuk iu përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre.

Ndodhur në këto kushte janë dërguar me urgjencë në vendngjarje, Forcat Speciale “Renea”, të cilat kanë marrë nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale është pozicionuar në perimetrin e largët të sigurisë.

Përgjatë natës, Forcat Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.

Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarde janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62-vjeçari ka humbur jetën.

Theksojmë faktin se shtetasi Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon këqyrja e vendit të ngjarjes për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.