Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, reagoi menjëherë pas lajmit se forcat speciale RENEA eliminuan fizikisht Ramiz Muçollarin, 62-vjeçarin që hapi zjarr ndaj tyre dhe plagosi gruan e djalin. Balla shprehet se Policia e Shtetit zbatoi ligjin. Po ashtu, ai siguroi se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore.
“Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin
Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Ramiz Muçollari humbi jetën pas shkëmbimit të zjarrit që pati me efektivët e RENEA-s. Ai nuk pranoi të dorëzohej pas disa orësh negociata dhe qëlloi me armë ndaj tyre duke ua rrezikuar seriozisht jetën.