Ekonomi “Rënia e euros rrezikon ta kthejë ekonominë shqiptare në vitin 1992”

“Rënia e euros rrezikon ta kthejë ekonominë shqiptare në vitin 1992”

“Rënia e euros rrezikon ta kthejë ekonominë shqiptare në vitin 1992”. Me këtë paralajmërim, sipërmarrjet eksportuese në fushën fasonëve, fruta-perimeve, bimëve aromatike dhe turizmit kanë kërkuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Fenomeni nuk mund të lihet në “rënie të lirë” me arsyetimin se çdo gjë e përcakton tregu. Nëse vërtetë mendohet se “duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të fortë”, atëherë po rrezikohet kthimi mbrapa në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock””, deklarojnë Shoqatat Eksportuese.

Shtatë shoqatat eksportuese kërkojnë nga dy institucionet e ngarkuara për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe monetar identifikimin e shkaqeve reale që po çojnë nën nënçmimin e euros, dhe ndërhyrje për të normalizuar situatën.

“Asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit nuk kanë përfituar konsumatorët shqiptarë. Nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzivë. Ky zhvlerësim i monedhës euro ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendas duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit”.

Euro arriti të enjten nivelin më të ulët historik duke u shkëmbyer me vetëm 111.03 lekë. Krahasuar me fillimin e muajit euro ka rënë me 2,24 lekë duke zhvlerësuar ndjeshëm fitimet e eksportuesve./A2