Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i ka quajtur teza populiste akuzat e Ben Blushit për politikën e jashtme.
Kreu i LIBRA Ben Blushi, ka kritikuar diplomacinë shqiptare në lidhje me situatën në Kosovë, duke kërkuar që shteti shqiptar të merret seriozisht me këtë çështje.
Për Blushin pasoja e vetme e ndarjes së Kosovës, do të ishte bashkimi i saj me Shqipërinë
Ndërsa Bushati ka theksuar vendi dhe shqiptarët lidhur me politikën e jashtme janë më të rëndësishme se karriget e ministrave e deputetëve, apo interesat politike.
“Skenarët për kufij, luftëra, se çfarë duhet të thotë Shqipëria nuk janë të denja për këtë foltore, politika e jashtme është më e ftohtë, fjalën e fundit nuk mund ta themi kurrë të parën”, tha Bushati.
Ai theksoi se “ne kemi dështuar sistematikisht për të vënë rregullat e lojës dhe 30 vite pas komunizmit recitojmë këtu rezoluta të partive simotra tona që gjejnë hapësirë mediatike vetëm në Shqipëri dhe e kemi të vështirë të përcaktojmë rregullat edhe më minimale.
Politikën e jashtme po tentojnë ta përdorin në funksion të interesit të ditës, veprimet në emër të shtetit bëhen me status interesante, duke ardhur e duke bërë politikë në Kuvend apo duke zëvendësuar edhe funksionet kryesore që mund të ketë shteti e në politikë të jashtme ekzekutohen, nga ekzekutivi”.
Duke iu përgjigjur Blushit ai tha: “I dashur Ben fakt është që ka rekomandim të qartë si drita e diellit, që të kam ftuar ta lexosh, që u konfirmua plotësisht me deklaratën e presidencën e BE; diskutimi im me Berishën për procesit të paraekzaminimit të negociatave në vend po fillon këtë pranverë me kapitujt 23 e 24; Sa i takon Kosovës nuk është e vërtetë që Shqipëria s’ka reagim, ky reagim mund të vijë nga nivele të ndryshme të shtetit shqiptar, përsa i takon ekzekutivit si e ka edhe bota është MPJ si në rastin konkret”.
Në përgjigje të akuzës së Blushit për sheqerosje të marrëdhënieve me Serbinë ai tha: “po të thuhet që Rama sheqerosi marrëdhëniet me serbët në kurriz të Kosovës, është e pavërtetë, më e pakta që mund të them”.
Bushati përshëndeti qëndrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për Maqedoninë.
“Për sa i takon procesit që është ndërtuar bazuar në bindjen tonë të plotë që shqiptarët janë dhe do mbeten promotor të stabilitetit demokratik në rajon dhe promotor të proceseve të integrimit euroatlantik, e kemi mbështetur atë platformë për ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë. Në këto kohë të turbullta, kur fqinjët mund të tentojnë të çiftëzojnë teatralitetin me viktimizimin Shqipëria do të mbetet në kursin e saj”.
Ndërkohë, Blushi si kundër replikë me Bushatin ka përdorur edhe ironinë.
“S’je ti ai që akuzoj unë, dihet kush e personalizoi politikën e jashtme. Ti vetëm i heq lustrën kur atë e zë pluhuri.
Unë them se Rama e ka personalizuar. Unë nuk them që e ke helmatisur ti. Ti je kujdesur, ndërsa i ka personalizuar Edi Rama.
Më ka thënë Sandri (Aleksandër Vuçiç) mos hyni në Elbasan, nëse vjen Sandri në Elbasan, s’ka rëndësi sa del rezultati i ndeshjes. Mjafton të vijë ai, thoshte Rama. Ky është personalizim. Kush është qëndrimi ynë për krizën në Kosovë.
Unë them që nuk ka asnjë qëndrim. Ky parlament ka detyrimin që të mos e lërë këtë vendin pa një qëndrim. Unë s’dua të grindem se kemi një problem jashtë dhe mjafton.
Se ç’a bisedon ti me Pandin dhe me Saliun nuk është diplomaci.
Nuk keni kurajo t’i thoni atij që e çoi në Kosovë, kthejeni trenin mbrapsht. Për një parti që keni në koalicion prishni marrëdhëniet me një shtet.
Për 5 deputetë u prishëm me një shtet. Unë e di Ditmir që ti mendon si unë dhe s’mund ta thuash. Kryeministri jonë është në një moshë adoleshente, ka ende për të mësuar”, tha Blushi.