Për herë të parë, botuesi Henri Çili dhe gazetari Alfred Lela u përballen LIVE për linjën editoriale, median, tregun, lirinë dhe parimet, pas largimit të këtij të fundi nga drejtimi i mediave “Mapo”.
Të ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në “Neës 24”, botuesi Çili dhe gazetari Lela nuk kanë lëvizur shumë nga pozicionet e tyre të mëparshme. Çili pretendon se Lela ka dështuar në realizimin e zotimeve të marra në kontratë ndërsa ky i fundit i qëndron ndryshimit të linjës editoriale.
“Unë vazhdoj të them që janë të dyja edhe mbarim kontrate dhe ndryshim i linjës. Unë dhe Henri kemi konsumuar disa kontrata. Ajo që mbaroi më 31 dhjetor ishte ofertë për të vazhduar me një linjë të tillë, sa nuk mund të përtypej prej meje. Unë do mbaja linjën: Rama është reformator dhe i duhet të marrë edhe një mandat të dytë. Kam qenë me zotin Çili në këtë krah të tryezës edhe para 3 vitesh. Dua të them se dinamika e ndryshimit është e tillë sa nuk ma lejonte të isha në anën e kundërt të tryezës”,- tha Lela në nisje.
Lela tha se nuk e ka armik Çilin dhe se jeta për të do vazhdonte.
“Kam thënë largohem sepse linja editoriale më detyron të them se: Rama duhet të marrë një mandat të dytë se është reformator, unë nuk e them dot këtë. Por jeta vazhdon, nuk inskenoj dot armiqësi…Dua të flasim për kuptimin tim të një linje editoriale, ta sqarojmë ku nuk jemi takuar dhe pse jemi ndarë”,- shtoi ai.
Ndërkohë, Çili nga ana e tij nguli këmbë se nuk ka ndryshuar linjën editoriale.
“Thelbi i diskutimit është i tillë, mekanizmat e mediave shqiptare ndryshojnë. Ne do ndahemi gjithnjë e më shumë duke na marrë rolin që na takon. Disa njerëz do shkojnë në të njëjtën vijë me pronarin, analistët në profilin e tyre, asnjë rol nuk është për tu sharë. Mapo është një media e vogël ideologjike. Në kuptimin tim nuk e kam ndryshuar linjën editoriale. Unë vjet në 4 janar kam bërë editorialin e famshëm që reformizmi në 2016 të mos ndryshojë si në 1936. Cilën ide ka ndryshuar media Mapo? Ne jemi një media aq modeste për zhurmën që është krijuar. Në kuptimin tim linja editoriale nuk ka ndryshuar” – tha Çili.