Një shumicë e ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, e cila ka një shumicë të demokratëve, votuan për ta bërë rajonin administrativ të Uashingtonit shteti i 51-të i SHBA, pavarësisht kundërshtimit të republikanëve.
Republikanët pritet të përpiqen të bllokojnë iniciativën në Senat, ku parashikohet një luftë e ashpër me një rezultat të pasigurt, sepse të dy, demokratët dhe republikanët kanë nga 50 përfaqësues secili në Senat, raporton Reuters.
Republikanët janë veçanërisht kundër propozimit, nga frika se shndërrimi i Uashingtonit në një shtet federal do t’u siguronte demokratëve dy përfaqësues shtesë në Senat.
Demokratët, të cilët kanë avokuar për shtetësinë e kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara për dekada, janë kësaj here të inkurajuar nga fitorja e Joe Biden në zgjedhjet e vitit të kaluar, si dhe kontrolli i dy dhomave të Kongresit.
Territoret e fundit që morën një status të tillë ishin Hawaii dhe Alaska në 1959.
Masa ka marrë mbështetje të fortë nga Presidenti Joe Biden. Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të martën duke e quajtur statusin aktual të Uashingtonit “një fyerje ndaj vlerave demokratike mbi të cilat u themelua vendi ynë“.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë e vlerëson Uashingtonin si të denjë për të qenë shtet, me “një ekonomi të fuqishme, një kulturë të pasur dhe një popullsi të larmishme amerikane nga të gjitha sferat e jetës që kanë të drejtë për pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë në demokracinë tonë”.
Me këtë akt, demokratët, siç thonë ata, duan të korrigjojnë padrejtësinë që ka zgjatur për qindra vjet për më shumë se 700,000 banorë të kryeqytetit.
“Megjithëse ata, si amerikanët e tjerë, paguajnë taksa, luftojnë në ushtrinë amerikane dhe kryejnë të gjitha detyrat e tjera të synuara, ata nuk kanë të drejtë të votojnë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve,” tha Jan Schakowsky.
“Ky është një shembull klasik i taksimit pa këta njerëz që kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.”
Në vend të Distriktit të Kolumbias, shteti i ri do të njihej me emrin Uashington, Komonuelthi Daglas – për nder të luftëtarit të famshëm kundër skllavërisë, Frederick Douglass, i cili jetoi në Uashington nga viti 1877 deri kur vdiq në vitin 1895.
Republikanët, të cilët akuzojnë demokratët se në të vërtetë duan të forcojnë rrymën radikale të majtë me këtë ligj, do të përpiqen të bllokojnë miratimin e ligjit.
Projekt-ligji pritet të përballet me kundërshti nga republikanët, duke qenë se shteti i 51-të i propozuar do të ishte me shumicë demokrate. Ky kundërshtim u duk qartë gjatë debateve përpara votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Themeluesit e vendit, “kurrë nuk dëshironin që DC-ja të ishte një shtet dhe e formuluan në mënyrë specifike kushtetutën për ta thënë një gjë të tillë”, tha përfaqësuesi republikan i Xhorxhias, Jody Hice. “Kjo është absolutisht kundër asaj që synonin themeluesit tanë dhe duhet refuzuar me forcë“.
Në mënyrë që ky ligj të miratohet, nevojiten 60 nga 100 vota në Senat.