Dita e enjte ka nisur me një erë të fortë, por me temperatura relativisht të larta. Në bregdet, parashikohet që temperaturat gjatë ditës të jenë 12-17 gradë celsius, në zonat fushore 9-16 gradë celsius, ndërsa në ato malore 3-10 gradë celsius.
Në mesditë kemi rënie të lehtë prej 2 gradësh të temperaturave në vend, për shkak të pranisë së vranësirave dhe reshjeve.
Gjatë pjesës së parë të ditës reshjet do të jenë më të pranishme në veri dhe veriperëndim të vendit, ndërsa më të pakta do të jenë në Ultësirën Perëndimore. Por nga mesdita, reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit, me rrebeshe të rralla pas mesnate.
Të premten situata do të ndryshojë, pasi sasia e reshjeve do të shtohet, ndërsa do të ulen ndjeshëm edhe temperaturat.
Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, foli për përmbytjet e mundshme që parashikohen në territor për shkak të reshjeve. Sipas tij, situata është nën kontroll, por megjithatë të gjithë duhet të bëjnë kujdes.
“Disa probleme janë shfaqur në Qarkun e Shkodrës sa i takon infrastrukturës rrugore, ku ka pasur rrëshqitje gurësh, inertesh për të cilat po punohet për pastrimin e tyre. Në disa zona ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, por të gjitha strukturat janë në gatishmëri dhe po punojnë për rikthimin sa më shpejt të situatës në normalitet. E përsërisim thirrjen për të gjitha bashkitë që të marrin masa për paralajmërimin e popullatës, veçanërisht në ato zona ku paraqitet rrezik për fatkeqësi natyrore, evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të banorëve në rast nevoje. Duhet të përgatitemi për të pasur kapacitetet e nevojshme”, tha Peleshi.
Era e fortë shkul pemët dhe ndërpret energjinë në disa zona të Juglindjes
Era e fortë ka shkaktuar probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike në disa zona të Juglindjes, si edhe ka shkulur pemë në qytetin e Korçës. Ndërprerje të energjisë elektrike ka në bashkinë Pustec, Bashkinë Devoll, Njësinë Adminstrative Vithkuq, bashkinë Korçë, Leskovik, bashkinë Kolonjë, në zonën e Gorës, në Pirg bashkia Maliq, në zonën e Mokrës bashkia Pogradec.
Grupet e punës të OSSHEE dhe Agjencitë Elektrike në rrethe janë në terren për riparimin e defekteve. Problematika të tjera nga bashkitë nuk raportohen. Rrugët nacionale kanë qenë pa probleme, po ashtu edhe në rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki nuk raportohen problematika. Gjatë natës në territorin e qarkut Korçë ka patur reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të cilat janë shoqëruara me erë të fortë.
ARRSH: Në aksin Bogë-Theth rënie orteqesh, ka vështirësi në qarkullim
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se reshjet e shiut që kanë vazhduar gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit me intensitet kanë rënie gurësh dhe inertesh në trup të rrugës si në Bajram Curri-Fierzë km 12.
Në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore, ku është punuar me mjete e punëtorë dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve ka pasur rënie orteqesh, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës pasi rënia vazhdon të jetë aktive.
Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të mbajtur qarkullimin në normalitet.
ARSH apelon që të tregohet kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, të pajiseni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.