Prej orëve të para të mëngjesit, reshjet e dëborës kanë përfshirë të gjithë rajonin e juglindjes.
Akset nacionale që lidhin Korçën me Kapshticën, Qafë-Thanën dhe Ersekën janë të qarkullueshme normalisht.
Vështirësi për lëvizjen ka në Qafën e Qarrit, ku trashësia e borës ka arritur në 20 cm.
Rruga drejt Dardhës, ku bora i ka kaluar 25 cm, është e qarkullueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa në aksin Korçë- Voskopojë nuk ka vështirësi për mjetet.
Reshjet e borës vijojnë me intensitet të lartë në zonat e thella malore, ku një pjesë e rrugëve dytësore janë të bllokuara.
Si pasojë e motit kanë mbetur pa energji disa fshatra të njësisë administrative Çërravë në Pogradec, po ashtu Vithkuqi dhe disa fshatra në fushën e Korçës.
Gjithashtu reshje të dendura dëbore kanë përfshirë Dibrën dhe Bulqizën ku trashësia arrin në 20 cm në qytet dhe në mbi 45 cm në zonat e thella.
Rrugët nacionale Peshkopi-Tiranë dhe Peshkopi-Kukës janë të kalueshme.
Në disa segmente në Kalanë e Dodës duhet të përdoren zinxhirët.