Nga Armand Plaka
Meqenëse holandezët po zbarkojnë për të disatën herë në Tiranë dhe këtë radhë “nuk kanë punë me shqiptarët”, as me kombëtaren e tyre e as me ndonjë ekip të ligës së tyre kombëtare, por është një aspekt që duket se na ka veçuar përherë: Mikpritja!
Ndërsa nesër pritet me padurim Finalja e Madhe mes Romës dhe Feyenoordit dhe duket se angazhimi për të parë suksesin e pritshëm në organizimin e saj (duke hedhur përkohësisht pas krahëve edhe përplasjet Bashki-Federatë Futbolli) është maksimal, nxorra nga arkiva ime këtë artikull të shtypit holandez të kohes (mban datën 13 shtator 1980, marrë nga Limburgs Dagblad, por i i riprodhuar edhe në platforma të tjera të kohës), i cili para përballjes së Ajaksit me Dinamon në vitin 1980, në titull ka veçuar pikërisht mikpritjen shqiptare, duke shënuar me të mëdha: Ajaksin në Tiranë e pret një mikpritje e ngrohtë!, duke kujtuar nga ana tjetër në diçiturat që shoqërojnë pamjet nga Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” se Ajaksi kishte luajtur 10 vite më parë aty në përballje me 17-Nëntorin me emra të mëdhenj si Cruijff, Keizer dhe Vasoviç, dhe nuk kishte arritur më larg se një barazim 2:2.
Më tej në artikullin e korrespondentit të saj sportiv, për kohën një penë emblematike e shtypit sportiv holandez, Frits Schills, i cili siç kam vënë re nga shfletimi i shtypit holandez të kohës, gjithashtu nuk vinte për herë të parë në vendin më të izoluar të Europës, theksohej se vendi po kalonte një periudhë të vështirë pas prishjes me Kinën dhe lajtmotivi i kohës ishte: Me Forcat tona! Kjo përshkruhet edhe në foton në mes të artikullit, e cila na shfaq tribunën kryesore të stadiumit mbi themelet e të cilit është ngritur sot edhe “Arena Kombëtare”, ku veç të tjerave shihen edhe parulla të tjera të kohës.
Por gjithashtu në ajër ndihej edhe një lloj hapje e moderuar ndaj Perëndimit dhe duket se publiku ishte i etur për të parë nga afër yjet e Ajaksit.
Si nëntitull i artikullit nga autori ishte përzgjedhur pikërisht: “Futbolli në Shqipëri mbetet një aventurë! duke tentuar të shprehë me siguri shumë aspekte paradoksale të kohës me anë të tij.
Dinamo sidoqoftë, do të mundej në atë takim të datës 17 shtator 1980, të vlefshëm për (në atë kohë: Kupa e Kampioneve, ekuivalenti i sotëm i UEFA-Champions League) me rezultatin 0:2, ndërsa në formacionin bazë do të luanin legjenda si: Përnaska, Luarasi, Ballgjini, Targaj, Marko, Bajaziti etj. Takimin e kthimit që u mbajt më 1 tetor 1980 në Amsterdam, do ta humbiste sërish, këtë radhë me rezultat minimal 1:0.
Feyenoord do të shfaqej sidoqoftë më vonë në Tiranë, e përkrah Ajaksit duket se tashmë i përket ekipeve që e kanë prekur më shumë këtë qytet.