Pas eliminimit në Champions League nga Porto, bardhezinjtë kanë nisur të programojnë që tani sezonin e ardhshëm. Ja kush do të ikë, kush është në dyshim dhe ata që janë të sigurtë që do të qëndrojnë.
Me eliminimin nga Liga e Kampionëve, drejtuesit e Juventusit janë vënë në qendër të kritikave. Shumë specialistë kanë kritikuar politikën e Andrea Agnellit, duke theksuar se më parë Juventusi duhet të fitojë para se të ndryshojë. Po ashtu, blerja e Cristiano Ronaldos është konsideruar një dështim i madh, duke ditur pagën e lartë të portugezit.
Megjithatë, kupola e klubit të madh italian është e vendosur për të vazhduar me revolucionin. Ringritja e kampionëve në fuqi do të fillojë nga profilet më të rinj në moshë, ku bëjnë pjesë De Ligt, Bentancur, Chiesa dhe Kulusevski. Edhe për Arthur, McKennie, Rabiot, Szczesny, Bonucci, Cuadrado dhe Danilo është e qartë se do të qëndrojnë.
Buffon dhe Chiellini duhet të vendosin, nëse do të vazhdojnë të luajnë, apo do të tërhiqen. Në rrezik largimi është Bernardeschi, i vlerësuar nga trajneri Andrea Pirlo, por atij i mungon hapi i fundit për të bindur plotësisht se mund të bëjë edhe lojtarin e krahut. Në dyshim është edhe Demiral, për të cilin ka pasur oferta gjatë verës së kaluar. Dragusin nuk ka rinovuar ende.
Qëndrimi i Moratës, përveç 10 milionë eurove të investuara tashmë, do t’i kushtonte Juventusit edhe 25 milionë brenda vitit 2022. Shifra vërtet të larta. Cristiano Ronaldo është një çështje më vete, kurse Dybala pa portugezin do të kishte më shumë hapësirë për t’u kthyer në nivelet e tij të mëparshme, por duhet të kalojë problemet fizike. Ata që duken larg Juventusit me siguri janë Alex Sandro dhe Ramsey.
Kush qëndron: Arthur, Bentancur, Bonucci, Chiesa, Cuadrado, Danilo, De Ligt, Kulusevski, McKennie, Szczesny.
Në dyshim: Buffon, Bernardeschi, Chiellini, Demiral, Dragusin, Dybala, Morata, Rabiot, Cristiano Ronaldo.
Kush largohet: Alex Sandro, Frabotta, Ramsey