Për Shqipërinë e lajmit të vrasjes së ditës dhe Kosovën e lajmit rutinor për Urën e Mitrovicës, për çmimin e shezlonit në Shqipëri që arriti të bëhet top-lajm i kësaj vere, baraspeshën mes pushtetit dhe forcave ekonomike e të dhunës dhe si mund të ndihmojë fjala “shtrirëse”
1.
“Shezllongu” qe njëra prej fjalëve më të popullarizuara në gjuhën shqipe gjatë kësaj vere në Shqipëri, Kosovë dhe gjithandej rrjeteve sociale; qe një fenomen global i gjuhës shqipe. Nuk kam evidencë empirike, por më duket se “shezllongu” (me nën-variantin “shezloni”) do të ketë qenë koncept më i popullarizuar se, për shembull, në Shqipëri “sot u vra (plagos) me armë zjarri shtetasi…” apo “pse (s)mund të hapet Ura e Mitrovicës”… Mbase mund të ketë qenë paragjykim imi, por ka shkaktuar më shumë interesim fakti se “shezlonet” janë shtrenjtuar – posaçërisht në Jug dhe kjo do të ketë shkaktuar më pak njerëz në plazh – sesa vrasja (plagosja) e ditës në Tiranë, Elbasan a ndonjë vend tjetër të Shqipërisë apo kumtesa e kësaj ambasade dhe reagimi i këtij zyrtari lidhur me kohën e duhur për hapjen e urës së Mitrovicës; kohë e duhur si koncept kalendarik, analizë sigurie apo renditje e duhur e yjeve, ato të horoskopit e ato gjeopolitike.
2.
Nëse shezlongu është ngritur mbi lajmet për vrasjen e ditës në Shqipëri apo të elaborimit rreth Urës së Mitrovicës, mbase është pse është sendërtuar mbi të dyja. Lëkurës së regjur të qytetarit shqiptar kjo nuk e lë përshtypjen e ndonjë gjëje të jashtëzakonshme. Po ashtu, është rutinore të dëgjohet për urën e Mitrovicës si problem i përditshëm (pas lajmeve për luftën në Ukrainë e Gazë duket sikur pika më e rëndësishme në glob është ura e Mitrovicës) për aq sa të rinjtë kosovarë 25-vjeçarë, të lindur pas fundit të luftës tashmë dinë edhe si duket Ura, edhe pse është mbyllur, edhe pse duhet hapur e së shpejti edhe sa është tonazhi i kamionëve të cilët mund të kalojnë, sa metra mund të kalojnë para se të ndeshen me zonën pedonale e kështu me radhë, por nuk dinë pse nuk mund të rregullohet më mirë sistemi shëndetësor e arsimor, përse mbi tre çereku i nxënësve të shkollave të mesme nuk e kuptojnë tekstin që e lexojnë?
Vrasja e ditës në Shqipëri është rutina e një shoqërie ku monopolin e forcës nuk e ka në tërësi shteti; nëse ekziston ndonjë kontratë sociale, atëherë do të ishte që shteti të merret me punët e veta e grupet që kanë forcë ekonomike dhe kulturën e vrasjes të vazhdojnë me punët e veta.
Ura e Mitrovicës është rutinë e një shoqërie që jeton në konflikt të papërfunduar, e në paaftësi për ta përfunduar konfliktin është bërë tok me bashkësinë euro-atlantike. Një urë që me kohë e ka ngrirë e zbehur kuptimin e vet metaforik (të lidhjes) dhe funksional (kur të kalohet ura, rruga çon pas disa metrash në zonë pedonale) është ngritur si simbol i paaftësisë së një procesi të gjatë negociator, një sëmundje politike evropiane.
3.
Kështu, atëherë del se meqë vrasja e ditës është rutinë sa edhe Ura e Mitrovicës (a diçka ngjashëm, si p.sh. targat e veturave), në top-listën e problemeve hyn shezloni. Apo shezlongu. Apo shezllongu.
Problemi i identifikuar ishte rritja e çmimeve të shezlonit si fakt real dhe si metaforë e revolucionit të cilin po përpiqet ta bëjë Shqipëria prej të qenit pak a shumë plazh i shqiptarëve, e në shumë vende kryesisht kosovarëve, në projeksionin e dëshiruar të “Maldiveve të Evropës”, as tre orë larg Londrës.
Këtu, më duket se problemi themelor nuk është më çmimi. Puna e çmimit diktohet prej tregut e tregu rregullohet apo çrregullohet në masë të madhe nga ndikimi apo mungesa e ndikimit të pushtetit. Çmimi i shezlonit do të jetë sa të dojë qiradhënësi e sa ta pranojë qiramarrësi brenda rregullave të tregut që i përcakton pushteti. E natyra e pushtetit u përshkrua më lart, te baraspesha mes shtetit (a Partisë) dhe grupeve me forcë ekonomike e instrumenteve të dhunës. Dhe çmimi i shezlongut (dhe çdo gjëje tjetër) është, kur të përjashtohen ndikimet e tregjeve globale, produkt i kësaj baraspeshe.
4.
Ky revolucion i shezlonit nuk është i fundit. Dikush më kishte thënë prej kohësh se fjala “shezlong” kishte ardhur nga firma prodhuese e Kinës me të njëjtin emër që i kishte sjellë në Shqipëri. Dhe, disi mund të tingëllojë kështu, kinezçe, por historia evolucionare (dhe revolucionare) e shezlonit duket të jetë ndryshe.
Etimologjia e fjalës ruse “shezllong” që arriti në plazhet e reduktuara të Shqipërisë bashkë me instruktorët sovjetikë e revolucionit komunist rrjedh nga fjala frënge e shekullit XVI “chaise longue”, karrige e gjatë apo e zgjatur, aso që mundëson shtrirjen e këmbëve. Në shqiptimin e shumë popujve të tjerë mori formën e përafërt me atë që arriti në Shqipëri si шезлонг.
Dhe, do të thosha se kështu do të ketë mbetur zyrtarisht për një kohë të gjatë, si “shezllong”. Disa gjëra që i solli komunizmi i versionit sovjetik si “zbori” mbetën deri në fund të komunizmit.
Kur shkuan revolucioni komunist e me të dhe “zbori”, shezllongu përjetoi revolucionin e vet të dytë. Ajo që kishte qenë karrige e gjatë për të zgjedhurit e paktë të këtij vendi u shndërrua në objekt që mund të ishte në shërbim të masave popullore. Dhe masat popullore në Shqipëri që nuk kanë ndonjë respekt të madh për tingullin “ll” që i përket shkronjës “l” të shkruar në gjuhët e huaja, shezllongun ruso-francez e afruan te shezlong, e pastaj te shezloni, i pranuar nga Konispoli në Vermosh.
Tash është para sfidës së tretë revolucionare në këto treva: çfarë është baraspesha e re që do arritur mes të zgjedhurve të rinj dhe masave popullore, atyre që e shqiptarizuan rrugëtimin e gjatë të fjalës prej pallateve fisnike franceze te pushimoret e Krimesë të Byrosë politike sovjetike?
Në këtë sfidë do përfshirë edhe Sigmund Freudin, babanë e psikanalizës. Shezllongu është mjet të cilin ai filloi së pari ta përdorë me pacientët, duke i relaksuar si parakusht fillestar për përpjekjen e hyrjes në nënvetëdije.
Në shekullin XXI të hysh në shezlong.com nuk është për të blerë krevatin për ta marrë në plazh por për të caktuar takim, fizik a virtual, me psikanalistin.
5.
Bashkëshortja ime, Blerta, me sens të spikatur për pastërtinë gjuhësore, më dha një ide që mund t’i ndihmojë revolucionit të ri të “chaise longue”. Pse të mos lihen pas të gjitha variantet e l-së dhe ll-së, të gjitha historitë etimologjike. Pse nuk mund të quhet “shtrirëse”?
Ndoshta revolucioni i duhur turistik mund të fillonte së pari, siç ishte çdo fillim, nga fjala./Koha.net