Sport Revolucioni i Juventusit nis nga Igli Tare?

Revolucioni i Juventusit nis nga Igli Tare?

Juventus dhe Igli Tare, një shkëndijë që është ndezur sërish, pas humbjes në derbin e Italisë me Interin. Rezultati dhe paraqitja e dobët bënë që bardhezinjtë ta shohin veten praktikisht jashtë garës për titullin. Por, ajo që shqetëson më tepër, lidhet me faktin se ekipi nuk bind me lojë, skuadra ka mangësi të mëdha teknike dhe e ardhmja duket e zymtë.

Për të ndryshuar këtë situatë, presidenti Andrea Agnelli po mendon që prej verës së ardhshme të nisë revolucionin. Pavel Nedved pritet të largohet nga klubi, ashtu si edhe Fabio Paratici, me Juventusin që është gati të nisë një cikël me drejtorin sportiv të Lazio-s, i cili vlerësohet si një prej më të mirëve në rolin e tij në Serie A, por edhe në Europë.

Në garë me Igli Taren është edhe Cristiano Giuntoli, që aktualisht ka postin e drejtorit sportiv te Napoli. Kjo nuk është hera e parë, që emri i ish-kapitenit të Shqipërisë qarkullon në radhët e drejtuesve të Juventusit. Edhe gjatë verës së kaluar, bardhezinjtë dhanë sinjale se mund të nisnin një cikël të ri me Taren, për të cilin nuk ka munguar as interesimi nga Milani apo edhe Interi.

Me emërimin e ish-sulmuesit kuqezi, nga skuadra mund të largohet edhe trajneri, Andrea Pirlo, ndërsa mund të mendohet rikthimi në stol i Massimiliano Allegri-t. Por, ndërsa Juventusi mendon për të ardhmen, Lazio ka përgatitur kundërlëvizjen, për të mos humbur drejtorin sportiv.

Sipas mediave, pranë klubit të kryeqytetit italian, presidenti Claudio Lotito i ka ofruar Igli Tares rinovimin e kontratës dhe beson se firma nuk do të mungojë. Në këtë rast, nëse bardhezinjtë e duan me ngulm, atëherë ata duhet t’i paguajnë Lazio-s vlerën e prishjes së marrëveshjes.