Politika Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, Balla: Do të shqyrtohet më 7 Korrik

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, Balla: Do të shqyrtohet më 7 Korrik

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka njoftuar se Kuvendi do të shqyrtojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë më 7 Korrik dhe jo më 11 Korrik siç ishte shprehur më parë.

“Kam rikujtuar një vendim të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me shqyrtimin dhe miratimin e një rezolute për përkujtimin dhe nderimin e viktimave në gjenocidin në Srebrenicë, siç të gjithë e kujtoni, në 12 Maj kemi rënë dakord që Kuvendi të mbajë një seancë të posaçëm për këtë çështje. Për shkaqe objektive seanca nuk mund të zhvillohet më 11 Korrik për shkak se është një ditë pushim, dhe në këto kushte kam kërkuar që seanca të zhvillohet pak ditë më parë në datën 7 Korrik, ku me solemnitetin e domosdoshëm dhe një protokoll siç i ka hije Kuvendit të Shqipërisë, një përfaqësues i qeverisë, kryetarët e grupeve parlamentare të mbajnë fjalën e rastit dhe dokumenti të jetë serioz ku Kuvendi i Shqipërisë të shprehë qartë përmes kësaj rezolute, do quaja unë, dënimin dhe vijimin e qëndrimeve konseguente të qeverisë shqiptare lidhur me pandëshkueshmërinë ndaj këtij gjenocidi. Në datë 7 Korrik, Kuvendi i Shqipërisë në një pjesë të seancës të ketë një moment të posaçëm për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”, u shpreh Balla.

Balla tha se i ka kërkuar ministres së Jashtme që të ketë të ftuar në Kuvend edhe përfaqësues të Bosnje-Hercegovinës për këtë rast. Po ashtu, ai u shpreh se, “në asnjë rast Kuvendi i Shqipërisë përmes betejave të rezolutës nuk mund të përdoret nga askush për nevojat të momentit dhe kontekstit politik brenda PD”.