Një projektrezolutë që e shpall 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, do të prezantohet më 17 prill në një takim me dyert të mbyllura në OKB.
Ruanda dhe Gjermania po e udhëheqin këtë iniciativë, por sipas informacioneve jozyrtare në hartimin e tekstit po marrin pjesë edhe Shqipëria, Shtete të Bashkuara, Bosnje dhe Hercegovina, Kili, Finlanda, Jordania, Zelanda e Re e Turqia.
Shtetet anëtare do të mund të deklarohen mbi të gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në fillim të muajit maj. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Projektrezoluta e OKB-së bën thirrje për dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të të gjitha viktimave dhe kërkon vazhdimin e ndjekjes penale të autorëve të gjenocidit.
Ajo i dënon, gjithashtu, veprimet që nderojnë ë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.