Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar projektrezolutën e propozuar nga Sali Berisha ku dënohej gjenocidi serb në Srebrenicë.
Kreu i qeverisë thotë se ata që “hidhen përpjetë për gjoja dështimin” e saj duhet të mësojnë që “ajo s’ishte rezolutë, por lojë e ulët”.
“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët”, thotë Rama.
Sipas kreut të qeverisë, kjo është lojë e ulët e Sali Berishës, që sipas Ramës është i shpallur “non grata” nga SHBA dhe “njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit“.
“Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik!
Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehen gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”, shkruan Rama.
Në Bosnje bëhet thirrje për bojkot të prodhimeve dhe bregdetit shqiptar
Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos miratuar rezolutën që dënon si genocid krimet serbe në Srebrenicë është pasqyruar gjerësisht në mediat boshnjake.
Një pjesë e këtyre mediave, sidomos ato online kanë dalë me qëndrime të hapura kundër Shqipërisë, madje kanë bërë thirrje për qytetarët vendas që të bojkotojnë produktet shqiptare dhe të mos vizitojnë bregdetin e Shqipërisë.
Kërkesa u rrëzua me votat e shumicës socialiste. Iniciator i kësaj nisme ishte Sali Berisha i cili argumentoi se me këtë votim në Parlament jo vetëm dënohet barbaria ndaj boshnjakëve, por i jepet një mesazh i qartë lidershipit aktual në Beograd, që sipas tij është bashkëfajtor dhe bashkëideator i kësaj masakre.
Por, socialistët e rrëzuan me 51 vota kundër, duke akuzuar Berishën se duhej të ishte i fundit që të kërkonte një rezolutë të tillë, pasi ai shkeli embargon e naftës për Serbinë dhe ushqeu me karburant makinerinë vrastare të Millosheviçit.
Mbi 8 mijë burra boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe gjatë rrethimit të Srebrenicës.