Kryesore Riaktivizohet zjarri në Dukat, mbërrijnë sot 2 helikopterët nga Holanda

Riaktivizohet zjarri në Dukat, mbërrijnë sot 2 helikopterët nga Holanda

Vatrat e zjarrit në malin e Dukatit në Vlorë po rrezikojnë të kalojnë në Parkun e Llogarasë. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se janë arritur të izolohen disa nga vatrat e zjarrit në vend, por ende mbeten aktive disa të tjera. Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Në Gjirokastër situata është stabilizuar, por mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.

Edhe zjarri qe filloi pasditen e djeshme në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri. Ndërsa zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara. Në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar. Zjarri në fshatin Kalis, në Kukës po mbahet nën kontroll, ndërsa është eliminuar rreziku për banesat.

Ndërkaq problematike situata e zjarrit vijon të jetë në Majën e Rrunës, në Kukës. Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, por situata po mbahet nën kontroll për të mos rrezikuar banesa.

Ndërkaq në ndihmë të FA të Shqipërisë vijnë edhe dy helikopterët e mekanizmit të mbrojtjes i aktivizuar nga Bashkimi Europian. Dy helikopterët nga Holanda dhe 47 ushtarakë do të aktivizohen nesër krahas helikopterëve të forcave të armatosura dhe të kontraktuarve të tjerë në vend për të vendosur nën kontroll flakët nga veriu në jug dhe nxjerrjen e vendit nga emergjenca.