Deri më tani në vendin tonë janë riatdhesuar mbi 2 mijë qytetarë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, ministrja u shpreh se pritet që deri në datën 6 Maj ky numër të shkojë në mbi 3200.
“Duke filluar nga data 18 Prill kemi sjellë 2350 qytetarë, deri më 5 dhe 6 Maj të kemi arritur mbi 3200 qytetarë shqiptarë që janë ndodhur jashtë kufijve në momentin e mbylljes së kufijve”, tha ministrja.
sipas Ballukut, procesi ka qenë i vështirë dhe i komplikuar për ata që janë ndodhur jashtë Europës, pasi ka pasur raste sensitive në Egjipt, Tajlandë, SHBA dhe Kanada.
Karantinimi vazhdon të jetë i detyrueshëm për të gjithë. Megjithatë nga kjo përjashtohen pacientët e sëmurë rëndë dhe rastet e minorenëve.
“Karantinimi vazhdon të jetë i detyrueshëm, të vetmet rastet që bëjnë përjashtim janë rastet e pacientëve me diagnozë të rëndë ose rastet e minorenëve që duhet të karantinohen pranë familjeve të tyre”, tha Balluku.
Ministrja bëri të ditur se kompania Albpetrol ka mbyllur puset për shkak të situatës që është krijuar nga pandemia. Sipas ministres, ky sektor është ndër më të goditurit nga pandemia.
“E gjetur në një situatë shumë të vështirë pasi çmimi i naftës ka arritur në nivelet më të ulëta shpeshherë edhe negative, kemi qenë të detyruar që për shkak të depozitave të tejmbushura, puset tona të mos jenë më operative. Megjithatë një vendim tjetër që kemi marrë është se është pezulluar deri në një vendim të dytë, procesi i ristrukturimit”, tha Balluku.