Disa shenja normaliteti u vunë re në ditën e dytë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Izraeli njoftoi se 50 kamionë me ndihma kanë mbërritur në pjesën veriore të Gazës, ku janë zhvilluar luftimet më të ashpra gjatë rreth 7 javëve luftë. Në media qarkulluan pamje emocionuese të ribashkimit të pengjeve të para të liruara me familjet e tyre. Vetëm dje u liruan 24 pengje izraelite, ndërsa autoritetet izraelite liruan 39 palestinezë që mbaheshin në burg, nën akuza të ndryshme.
Nëntë vjeçari Ohad Munder, i cili e kaloi ditëlindjen si peng, ishte mes katër fëmijëve të liruar pas gati 50 ditësh pengmarrjeje nga grupi militant palestinez së bashku me nënën dhe gjyshen e tij. Ata ishin pjesë e grupit të izraelitëve që u liruan në ditën e parë të një armëpushimi të përkohshëm në luftimet mes Izraelit dhe grupit militantëve të Hamasit.
“Katër djem dhe vajza, tre nëna dhe një gjyshe mbërritën në Qendrën Mjekësore të Fëmijëve Schneider të premten në mbrëmje. Ata janë në gjendje të mirë dhe ndodhen nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor. Ishte mbrëmja më emocionuese që kam përjetuar prej fillimit të punës si mjeke”, thotë Gilat Livni, drejtoresha e Pediatrisë në Qendrën Mjekësore Schneider të Izraelit.
Mjekja Livni tha se persona e liruar kanë folur rreth asaj që e kanë përjetuar, ndërsa mbaheshin peng nga Hamasi, por ajo nuk pranoi të jepte detaje.
Njëzet e katër pengje, përfshirë 13 gra dhe fëmijë izraelitë, nga mosha 2 deri në 85 vjeç, u liruan të premten në mbrëmje. Qeveria izraelite liroi 39 gra dhe të mitur palestinezë që mbaheshin të burgosur në Izrael.
Sipas qeverisë së Katarit, Hamasi liroi edhe 10 shtetas tajlandezë dhe një filipinas, në kuadër të një marrëveshjeje të veçantë me grupit militant.
Me ndërmjetësimin e Katarit dhe Shteteve të Bashkuara, Izraeli dhe Hamasi, një organizatë e shpallur terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian, kanë arritur një armëpushim të përkohshëm 4 ditor, me qëllim që brenda katër apo pesë ditësh të lirohen 50 pengje izraelite dhe 150 palestinezë që mbahen të burgosur nga Izraeli.
Me nisjen e armëpushimit që hyri në fuqi të premten në rajon u vunë re shenja normaliteti, sikurse në tregun e qytetit Khan Younis të Gazës. Palestinezët u dyndën për të blerë ushqime në ditën e dytë të armëpushimit.
“Komuniteti tani është më mirë, psikologjikisht ndihet me i qetë. Urojmë që armëpushimi të vazhdojë dhe të jetë i përhershëm, jo vetëm katër apo pesë ditë”, thotë Ayman Nofal, banor palestinez i Rripit të Gazës.
“Ne jemi të kënaqur me armëpushimin, ai u dha njerëzve mundësinë të marrin frymë pak”, thotë banori tjetër palestinez i Gazës, Haitham Ahmedi.
Të shtunën autoritetet izraelite njoftuan se pesëdhjetë kamionë që transportonin ushqime, ujë, pajisje mjekësore dhe për strehim mbërritën në pjesën veriore të Gazës e cila përjetoi luftimet më të ashpra.
Lufta filloi pas sulmit terrorist të 7 tetorit nga Hamasi gjatë të cilit u vranë 1200 izraelitë ndërsa militantët palestinez morën edhe 240 persona peng.
Përgjigja ushtarake e Izraelit ndaj këtij sulmi filloi me sulme ajrore dhe më pas një ofensivë tokësore që sipas të dhënave të Hamasit u ka marrë jetën deri tani të paktën 13 mijë palestinezëve.