Aktori hollivudian Richard Gere i bëri thirrje qeverisë italiane që ti japë fund politikës së saj kundër emigrantëve dhe të ndihmojë mbi 100 emigrantë, që prej më shumë se një jave qëndrojnë në një varkë spanjolle, pasi rrezikuan të mbyten në Mesdhe.
Nga Lampedusa, në jug të Italisë, 69 vjeçari e krahasoi politikën e ministrit Salvini kundër emigrantëve, me atë të administratës amerikane të Donald Trump.
“Ne kemi problemet tona me refugjatët që vijnë nga Hondurasi, Salvadori, Nikaragua, Meksika. Është situatë e ngjashme me atë që ju po kaloni këtu. Por kjo situatë duhet të marrë fund njëherë e mirë kudo në këtë planet. Dhe do të marrë fund kur ne të themi mjaft më. Unë dua thjesht të ndihmoj dhe jo të futem në një luftë politike”, deklaroi aktori i njohur.
Por komentet e aktorit, i cili qëndroi për orë të tëra në anijen me 121 emigrantë, mes të cilëve 32 fëmijë, nuk shpëtuan pa reagimin e ministrit të brendshëm italian, Matteo Salvini.
“Falënderojmë milionerin bujar që i dha zë shqetësimit mbi fatin e emigrantëve. Ai mund të kthehet në Hollivud, me avionin e tij privat dhe të marrë me vete emigrantët që t’i strehojë në vilat e tij. Faleminderit Richard”, replikoi me ironi Salvini.
Gjatë javës, zyrtarët e BE i kërkuan të gjitha shteteve anëtare që të tregojnë solidaritet dhe të gjejnë një zgjidhje për emigrantët që kanë mbetur në det të hapur.